Arabia Saudite, në kërkim të litiumit në Kili – Vendi synon diversifikimin e ekonomisë duke u shkëputur nga nafta
Arabia Saudite është e vendosur për të siguruar litium nga jashtë, pasi duhet të prodhojë bateri për automjete elektrike dhe të investojë në këtë sektor. Deklarata u bë nga ministri i Industrisë dhe Burimeve Minerale Bandar Alkhorayef, duke vënë në dukje se përpjekjet për të siguruar furnizimet e brendshme ishin në një fazë të hershme.
Arabia Saudite, ekonomia e së cilës prej dekadash mbështetet tek naftë, ka shpenzuar miliarda duke u përpjekur të kthehet në një qendër për prodhimin e automjeteve elektrike si pjesë e përpjekjeve të princit të kurorës Mohammed Bin Salman për të diversifikuar ekonominë e vendit.
Arabia Saudite ka filluar të eksplorojë nxjerrjen e litiumit nga uji i detit dhe nga shkarkimet e kripura nga fushat e naftës të mbretërisë në bashkëpunim me Aramco. Por nuk ishte e qartë nëse këto nisma do të ishin të suksesshme.
Një vit më parë, fondi i pasurisë sovrane të Arabisë Saudite, Fondi i Investimeve Publike – PIF dhe kompania e saj kryesore e minierave ‘Ma’aden’ formuan një sipërmarrje të përbashkët të quajtur ‘Manara Minerals’ për të investuar në asetet minerare jashtë vendit.
Ambasada e Arabisë Saudite në Santiago iu drejtua ministrisë së minierave të Kilit për të pritur një delegacion nga vendi i Lindjes së Mesme këtë vit për të diskutuar investimet e mundshme në sektorin e minierave të Kilit. Nga ana e saj ministrja e Minierave të Kilit, Aurora Uilliams, nuk pranoi të japë detaje rreth asaj se cilat metale mund të jenë me interes për Arabinë Saudite.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.