Depozitat “tkurren” edhe në Mars – Regjistruan rënie me 1.1%. “Digjen” rreth 144 milionë euro
Depozitat në paranë e gjerë kanë rënë sërish përgjatë muajit Mars të këij viti, pas rënies në muajin Shkurt, sinjalizojnë të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë. Kështu, shifrat e Marsit flasin për 1.30 trilionë lekë depozita, nga rreth 1.32 trilionë lekë të muajit Shkurt.
Tkurrja e depozitave në paranë e gjerë ka nisur që në muajin Shkurt të vitit të kaluar, duke u ndalur në Gusht të vitit 2023, dhe një kthesë pati edhe në Dhjetor e në Janar të vitit aktual. Pra, në harkun kohor të gati një viti, duket se depozitat bankare kanë ndryshuar me ritme të ngadalta.
Në Mars depozitat në paranë e gjerë janë tkurrur me plot 1.1%, ose 14.5 miliardë lekë më pak, krahasuar me muajin Shkurt. Nëse e konvertojmë shohim se rënia regjistrohet në 144 milionë euro. Ndërkohë, rikujtojmë se në muajin Shkurt të po këtij viti depozitat ranë me 0.4%, krahasuar me Janarin.
Sa i përket depozitave në lekë, rënia është më e kontrolluar në Mars, prej vetëm 0.6% në terma mujorë, dhe depozitat kanë zbritur pranë 587 miliardë lekëve, nga 591 miliardë që regjistroheshin në muajin Shkurt. Nga krahu tjetër, ato në valutë regjistrojnë një rënie më të madhe, prej 1.5%, por që është kryesisht efekt i kursit të këmbimit, pasi për arsye statistikore depozitat në valutë konvertohen në lekë.
Nga ana tjetër, nëse shohim treguesin e depozitave sipas monedhave, jo sipas indikatorit të parasë së gjerë, që përfshin ndryshe nga ky i fundit edhe paratë e jo-rezidentëve (të huajve), shohim se depozitat në euro janë rritur me 1.5% në Mars, ose me rreth 112 milionë euro në një muaj.
Kjo tendencë konfirmon kështu fluksin e lartë të injektimit të monedhës së përbashkët europiane në ekonominë shqiptare, çka ka ndikuar edhe në zhvlerësimin e euros. Pra, duket se zhvlerësimi i saj ka zhvlerësuar ndjeshëm edhe depozitat e shqiptarëve për disa muaj me radhë.
Xhorxhina Deda/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.