14.52% më pak banorë në Shqipëri, se në 2011 – Dalin të dhënat e Censit, Dhuli: Shqipëria ka 2,412,113 banorë
Shqipëria ka 2,412,113 banorë sipas Censit të Popullsisë dhe Banesave 2023, me një rënie prej 14.52% në raport me Censin e vitit 2011. Procesi i regjistrimit u ndërmor përgjatë periudhës 18 shtator – 16 nëntor 2023, ndërkohë që rezultatet kryesore mbi numrin e popullsisë që jeton brenda territorit shqiptar u shpallën nga drejtoesha e Institutit të Statistikave, Elsa Dhuli.
Sipas Dhulit, përpunimi i të dhënave më të detajuara do ofrojë informacione të vlefshme për të hartuar politika më të mira arsimore, shëndetësore, ekonomike apo të zhvillimit të qëndrueshëm.
Ky është censi i 12-të në historinë e Shqipërisë, i cili erdhi 100 vjet pas censit të parë, zhvilluar në vitin 1923, teksa në terren u angazhuan 5240 anketues në të gjithë vendin, ndërsa në total përfshiu 7500 persona.
Ola Mitre/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.