E djathta ekstreme fiton zgjedhjet në Francë – Macron kërkon bashkimin e republikanëve për raundin e dytë
Ekstremi i djathtë në Francë mund të marrë mazhorancën absolute në Asamblenë Kombëtare dhe postin e kryeministrit, pas fitores së bindshme në raundin e parë të zgjedhjeve të parakohshme. Partia “Tubimi Kombëtar” (Rassemblement national) i Marine Le Pen ka marrë 34% të votave, duke lënë partinë e presidentit Macron me më pak se 22%.
Kreu i shtetit ka kërkuar bashkimin e republikanëve për raundin e dytë të zgjedhjeve, të dielën e ardhshme. Ndërkohë që pjesëmarrja në votime ka shënuar një rekord të ri. Kanë votuar 65% e personave me të drejtë vote më shumë se 47.51% të shënuar në zgjedhjet e 2022-shit. Në deklaratën e saj të parë pas publikimit të rezultateve Le Pen u shpreh se sapo kishte filluar fshirja e bllokut republikan
Partia e Le Pen siguroi një fitore të qartë, edhe pse jo vendimtare, që do të thotë se rezultati përfundimtar mbetet i pasigurt përpara një raundi të dytë të votimit më 7 korrik. Macron, vendimi i të cilit për zgjedhje të parakohshme habiti të gjithë, ka kërkuar votuesit të mblidhen kundër të djathtës ekstreme të dielën e ardhshme.
Bazuar në shifrat e raundit të parë të zgjedhjeve, kampi i ekstremit të djathtë do të fitojë midis 230 dhe 280 vende në Asamblenë Kombëtare, duke e lënë atë më pak nga 289 vendet e nevojshme për të fituar një shumicë absolute.
Një rezultat më i mundshëm do të ishte një parlament i varur në të cilin asnjë koalicion nuk është në gjendje të mbledhë një shumicë, duke sjellë bllokim në ekonominë e dytë më të madhe të Bashkimit Europian dhe fuqinë e tij udhëheqëse ushtarake.
Perspektiva e papritur e një qeverie të ekstremit të djathtë ia doli të ribashkonte të majtën e thyer të Francës – me një shpejtësi që e zuri në befasi Pallatin Elysee. Në anën tjetër të spektrit, fushata e rrufeshme i mundësoi partisë së Le Pen të përshpejtonte në mënyrë dramatike marrjen e elektoratit të krahut të djathtë të Francës.
Udhëheqësit e krahut të majtë, nxituan të deklaronin se do të tërhiqnin të gjithë kandidatët që dolën të tretët në zonat e tyre përkatëse, në mënyrë që të mos përçahej fronti anti-Le Pen. Bardella, zgjedhja e Le Pen per kryeministër, thotë se ai do të përdorte kompetencat e kryeministrit për të ndaluar Macron që të vazhdojë të furnizojë Ukrainën me armë me rreze të gjatë veprimi për luftën me Rusinë.
Dorina Kurtaj /SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.