Gjermani, besimi i bizneseve në rënie të lirë – Pesimizmi mbizotëron në të gjithë sektorët
Dorina Kurtaj / SCAN
Në korrik, ndjesia e biznesit në Gjermani ishte në rënie për të tretin muaj radhazi, dhe pesimizmi aktualisht mbretëron në të gjithë sektorët. Këto janë të dhënat që dalin nga raporti i publikuar nga Instituti IFO për Kërkime Ekonomike nga Mynihu.
Sipas njoftimit, indeksi, i cili mat ndjesinë e biznesit të kompanive gjermane, ra nga 88.6 në qershor në 87 pikë në korrik.
Tregjet prisnin tendencë të kundërt, konkretisht që vlera e këtij indeksi do të rritej lehtësisht në 88.9 pikë.
Kompanitë ishin më pak të kënaqura me situatën aktuale të biznesit dhe pesimizmi për zhvillimin e biznesit në gjashtë muajt e ardhshëm është gjithnjë e më i theksuar.
Optimizmi shënoi rënie në sektorë të ndryshëm si në tregti, prodhim, sektorin e shërbimeve dhe ndërtimtarisë, pra në të gjithë sektorët e vëzhguar.
Analistët shprehen të bindur kur thonë se ekonomia gjermane është mbërthyer në një krizë.
Aktiviteti ekonomik në sektorin privat gjerman ra sërish në zonën e tkurrjes në korrik dhe situata në prodhim është shqetësuese.
Problemet e prodhimit gjerman janë sfidat strukturore, investimet e pamjaftueshme në infrastrukturë dhe çmimet relativisht të larta të energjisë, dhe fakti që prodhuesit gjermanë të autojeteve dhe makinerive po humbasin ‘frymën e tyre’ në lidhje me konkurrencën kineze është një shqetësim i veçantë.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.