Sa karta bankare janë në qarkullim? – Rreth 26 mijë të reja në tremujorin e dytë. VISA vijon të dominojë
Ledina Elezi/SCAN
Numri i kartave të emetuara nga bankat dhe të vlefshme ose aktive, arriti mbi 1 milion e 482 mijë në tremujorin e dytë të 2024-ës. Ky total përshin karta të cilat kryejnë më shumë se një funksion. Ndërkohë, pothuajse 26 mijë karta të reja rezultojnë të jenë lëshuar nga bankat e nivelit të dytë në periudhën prill-qershor.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, rreth 1 milion e 413 mijë janë karta me funksion pagese, prej të cilave 1 milionë e 292 mijë janë karta debiti dhe 120,856 karta krediti. Në tremujorin e dytë numërohen 27 mijë karta debiti më shumë se në periudhën janar-mars, ndërsa 285 karta të reja krediti janë dhënë nga bankat.
Nga ana tjetër, gati 70 mijë karta janë me funksion paraje elektronike. Për sa i përket llojit, kartat VISA dhe MasterCard janë të vetmet që operojnë në vend, ndërkohë që kartat lokale dhe American Express nuk janë hedhur në qarkullim që prej 2022-it. Numri i kartave VISA ka pësuar një rritje të konsiderueshme në tremujorin e dytë 2024, me një total prej rreth 754 mijë kartash të vlefshme, rreth 19 mijë më shumë se në muajt paraardhës.
Përafërsisht 6 mijë karta të reja MasterCard rezultojnë të jenë dhënë nga bankat e nivelit të dytë, duke e çuar numrin e tyre nga 722 mijë në 728 mijë në tremujorin e dytë. Një numër më i lartë i kartave në treg nënkupton një rritje të përfshirjes financiare të individëve, të cilët po aksesojnë gjithnjë e më tepër shërbimet bankare.
Gjithashtu, përdorimi më i madh i kartave bankare nga qytetarët dhe bizneset është tregues i reduktimit të parasë cash në ekonomi dhe drejtimit për nga paraja elektronike, duke kontribuar kështu edhe në formalizimin e mëtejshëm të ekonomisë.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.