Dy akse rrugore, në rikonstruksion – ARRSH lidh kontratat për Kombinat-Ndroq-Plepa dhe Berat-Ballaban
Ola Mitre / SCAN
Autortieti Rrugor Shqiptar ka lidhur kontratat, që i hapin rrugë nisjes së punimeve në 2 rrugë kombëtare. Kontrata e parë përfshin aksin rrugor Kombinat – Ndroq – Plepa dhe ka një vlerë prej rreth 6.8 mln euro, ndërsa kontrata tjetër përfshin aksin Berat – Ballaban.
Punimet në rrugën e Ndroqit do të kryhen nga bashkimi i operatorëve “Arifaj” dhe “Eurokos Holding”, dega në Shqipëri, ndërsa përfshijnë vetëm lotin 1, çka sugjeron se një tjetër procedurë do të duhet të zhvillohet për pjesën tjetër të rrugës.
Rikonstruksioni i rrugës Kombinat – Ndroq – Plepa vjen në një kohë me punimet që do të kryhen për zgjerimin e autostradës Tiranë – Durrës, duke shërbyer si një alternativë për të aksesuar qytetin bregdetar dhe anasjelltas.
Ndëkaq, sa i takon aksit Berat – Ballaban, vlera e kontratës është rreth 20 mln euro, ndërsa punimet do të kryen nga bashkimi i operatorëve “G. P. G. Company”, “Vega” dhe “NG Structures”. Edhe në këtë rast objekt i saj është loti 1 i rrugës.
Vitin e kaluar për këtë rrugë u lidh kontrata edhe për lotin 3, teksa përmirësimi i këtij aksi shkurton kohën dhe distancën e udhëtimit automobilistik ndërmjet bashkive Përmet, Tepelenë, Memaliaj dhe Gjirokastër me bashkinë Berat, ndërsa pritet të krijojë akses më të afërt edhe me shtetin fqinj Greqinë, nëpërmjet pikës doganore “Tre Urat”.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.