Rruga Elbasan-Lekaj kthehet në autostradë – ARRSH hap 6 tenderë me fond limit 150 mln euro. Aksi është pjesë e korridorit VIII
Ola Mitre / SCAN
Aksi rrugor nga Elbasani në Rrogozhinë do të kthehet në autostradë, me të paktën 2 korsi në secilin kah lëvizjeje. Me një fond limit total prej 15 mld lekë apo rreth 150 mln euro, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur 6 tenderë për ndërtimin e kësaj rruge, që është pjesë e korridorit 8.
Sipas dokumenteve të tenderit projekti fillon në afërsi të ish- Kombinatit Metalurgjik në Elbasan, ku do të bëhet lidhja me bypassin e Elbasain që është në projektim e deri në Lekaj, ku bashkohet me autostradën ekzistuese të korridorit blu. Gjatësia e rrugës është 40.7km dhe kalon në rajonet Elbasan (Bradashesh, Shirgjan, Gjegjan, Cërrik, Papër), Peqin (Pajovë, Shez, Gjocaj, Peqin, Karine) dhe Kavajë (Sinaballaj, Rrogozhinë).
Nisur nga kategoria e rrugës shpejtësia e lejuar pas përfundimit të punimeve do të jetë në intervalin 90 km/orë deri në 140 km/orë.
Korridori 8” konsiderohet si projekti bërthamë i infrastrukturës në vendin tonë, pasi pritet të çojë në një rang tjetër flukset në porte, aeroporte dhe logjistikë, teksa sipas studimeve do të ketë një rritje të volumeve në porte mbi 40%.
Gjurma kryesore e Korridorit 8 përfshin portet detare dhe lumore, aeroportet, portet multimodale, rrugët dhe hekurudhat, me një total prej 1270 km hekurudha dhe 960 km rrugë. Ai nis nga portet jugore italiane të Barit dhe Brindisit në portet shqiptare të Durrësit dhe Vlorës, më pas përmes kryeqyteteve – Tiranë, Shkup, Sofje – përmes Plovdivit, duke përfunduar në portet bullgare të Burgasit dhe Varnës në Detin e Zi.
Në territorin shqiptar ai shtrihet në rreth 154 km, teksa aktualisht po punohet edhe në 8 lot-e të tjerë nga Elbasani, në drejtim të Maqedonisë së Veriut.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.