Financim për baret, restorantet dhe rrobaqepësitë – Fokus në uljen e mbetjeve. Afati i aplikimit deri më 7 nëntor 2024
Elisabeta Dosku/ SCAN
Të gjithë bizneset e reja apo ekzistuese në kryeqytet, me fokus në ripërdorimin e mbetjeve, më qëllim orientimin drejt ekonomisë qarkulluese të drejtuar nga inovacioni, do të mbështeten me grante të posaçme.
Përmes fondit të vendosur në dispozicion nga Bashkia Tiranë, këto biznese të reja apo ekzistuese do të mbështeten që të ndryshojnë politikën e tyre duke përdorur metoda efikase me qëllim zvogëlimin e sasive të mbetjeve që gjenerojnë.
Në thelb të saj, metodologjia thekson bashkëpunimin dhe angazhimin me aktorë të ndryshëm, duke shfrytëzuar perspektivat dhe ekspertizën e tyre unike për të zhvilluar zgjidhje inovative apo metoda të tjera të përshtatshme për mbrojtjen e mjedisit në qytetin e Tiranës.
Kjo qasje bashkëpunuese siguron që idetë e propozuara të jenë kërkimore, gjithëpërfshirëse dhe reflektuese të nevojave dhe prioriteteve të ndryshme të komunitetit. Kohëzgjatja e projektit shtrihet përgjatë 12 muajve dhe buxheti total për thirrjen “Mbështetje financiare për biznese me fokus Ripërdorimin” është 20 milionë lekë . Vlera limit për biznes është deri në 2 dy milionë lekë. Aplikimet do të jenë të hapura deri më datën 7 nëntor 2024.
Konkretisht do të mbështeten bizneset për reduktimin e mbetjeve dhe uljen e emetimit të gazrave serrë. Kjo thirrje u drejtohet kryesisht subjekteve të shërbimeve si bare, restorante, kafene; rrobaqepësive; këpucarive dhe sektorëve të ngjashëm.
Pagesa e grantit të përfituar bëhet 50% në fillim të projektit me dorëzimin e një kopjeje të certifikatës së NIPT-it (si për bizneset e reja edhe ato ekzistuese) dhe 50% në përfundim të projektit, kundrejt faturës/faturave elektronike të cilat vërteton/vërtetojnë shpenzimet e kryera dhe dokumenteve të tjera mbështetëse të cilat do të dorëzohen në përfundim të projektit.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.