OPEC redukton parashikimet për kërkesën e naftës – Rritja globale pritet të bjerë në 1.93 milionë fuçi në ditë për vitin 2024
Kristi Ceta/SCAN
Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) shkurtoi më tej parashikimet për rritjen e kërkesës globale për naftë këtë vit dhe vitin e ardhshëm, duke shënuar rishikimin në rënie për të tretin muaj radhazi.
Në raportin mujor të tregut të naftës për tetorin, OPEC parashikoi një rritje të kërkesës globale për naftë prej 1.93 milionë fuçi në ditë për vitin 2024, 106,000 fuçi në ditë më pak nga rritja prej 2.03 milionë fuçi në ditë që pritej muajin e kaluar.
OPEC e argumentoi ndryshimin “në bazë të të dhënave aktuale, të kombinuara me pritjet pak më të ulëta për ecurinë e kërkesës për naftë në disa rajone”.
Pavarësisht rishikimit të tretë pasues në rënie, OPEC tha se rritja e kërkesës botërore për naftë këtë vit është “ende shumë mbi mesataren historike prej 1.4 milionë fuçi në ditë e parë përpara pandemisë COVID-19”.
Për vitin e ardhshëm, grupi i prodhuesve të naftës ul vlerësimin e rritjes së kërkesës globale për naftë për vitin 2025 në 1.64 milionë fuçi në ditë, nga vlerësimi i muajit të kaluar prej 1.74 milionë fuçi në ditë.
OPEC uli dy herë parashikimet për rritjen e kërkesës globale të naftës në 2024 dhe 2025 në raportet mujore të tregut të publikuara në gusht dhe shtator. Deri në gusht, OPEC kishte ruajtur parashikimet prej 2.25 milionë fuçi në ditë këtë vit dhe 1.85 milionë fuçi në ditë vitin e ardhshëm.
Muajin e kaluar, tetë vende anëtare të OPEC+, një grup që përfshin OPEC dhe aleatët, njoftuan një zgjatje të shkurtimeve vullnetare të prodhimit të naftës për dy muaj deri në nëntor. Vendet do të fillojnë të heqin gradualisht këto shkurtime të prodhimit duke nisur nga dhjetori.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.