Taksë e sheshtë për turizmin – Qeveria synon 14.8 mln euro. Bashkë me taksën e fjetjes, në total 85 mln euro
Ola Mitre/SCAN
Qeveria synon vendosjen e një takse të sheshtë për sektorin e turizmit, që pritet të sjellë një rritje të konsiderueshme të të ardhurave nga ky sektor. Gjithçka parashikohet në draft Strategjinë Kombëtare të Turizmit 2024 -2030, që është nxjerrë për konsultim publik nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit. Në dokument nuk jepen detaje mbi nivelin e kësaj takse, por parashikohet që nga aplikimi i saj në vitin 2030 të mblidhen rreth 14.8 mln euro.
Sipas parashikimeve, kjo taksë do të jetë vjetore dhe do të paguhet nga operatorët e strukturave akomoduese me qira afatshkurtër dhe llojeve të tjera të akomodimit, e llogaritur në bazë të numrit të shtretërve që ofron struktura akomoduese. Kjo, për të nxitur regjistrimin dhe për të ulur kostot e kontrollit apo inspektimeve.
Paralelisht, qeveria synon të rrisë ndjeshëm edhe të ardhurat nga taksa e fjetjes. Sipas planifikimit nga 21.63 mln euro që u mblodhën gjatë vitit 2023, në vitin 2030 kjo vlerë parashikohet të arrijë në 70.5 mln euro. Në total, duke përllogaritur të ardhurat nga taksa e sheshtë, në vitin 2030 të ardhurat nga taksat pritet të arrijnë në 85 mln euro.
Sipas draftit, reforma në sistemin e taksave të turizmit është thelbësore, pasi operatorët e strukturave akomoduese me qira afatshkurtër, të cilët përbëjnë një segment të rëndësishëm të tregut, aktualisht nuk janë objekt i taksave.
Po ashtu, specifikohet se një hap praktik në mbledhjen e taksave të turizmit do të ishte zhvillimi i një platforme për regjistrimin e turistëve në kohë reale, bazuar në mbërritjet dhe netë-qëndrimet e tyre.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.