16 emigrantët e parë mbërrijnë në Shëngjin – Pasi pajisen me kod QR, transportohen në Gjadër
Ernilda Luzi/SCAN
Ka mbërrritur në portin e Shëngjinit anija “Libra” e Marinës Italiane, e cila ka sjellë grupin e parë të emigrantëve në qendrat e ngritura në Shqipëri për t’iu nënshtruar procedurave të përshpejtuara kufitare.
Kontigjenti i parë i emigrantëve që Italia nisi drejt Shëngjinit, është i përbërë nga 16 persona. Janë të gjithë meshkuj me origjinë nga Egjipti dhe Bangladeshi. Ata do vendosen në qendrën e Gjadrit, ku është ngritur edhe një ambient paraburgimi dhe është caktuar kontigjent oficerësh dhe policësh italianë për ruajtjen, kujdesin dhe procedurat.
E gjithë procedura, duke filluar nga aplikimi për azil, duhet të përfundojë brenda 4 javësh: ata që kanë të drejtë do të transferohen në Itali, ata që nuk janë do të riatdhesohen.
Policia e Shtetit bëri me dije se janë marrë të gjitha masat për sigurinë dhe për zbatimin e procedurave të përshpejtuara kufitare.
Më 6 nëntor 2023 mes Shqipërisë dhe Italisë u nënshkrua protokolli i bashkëpunimit për fuqizimin e bashkëpunimit për çështjen e emigracionit.
Protokolli, u nënshkrua nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni dhe u ratifikua nga Kuvendi i Shqipërisë më 22 shkurt 2024.
Autoritetet kompetente shqiptare lejojnë hyrjen dhe qëndrimin në territorin shqiptar të emigrantëve të strehuar në strukturat që janë ndërtuar, me qëllimin e vetëm të kryerjes së procedurave kufitare apo të riatdhesimit.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.