ARRSH hap tenderin për byppasin e Elbasanit – Kalim i korridorit 8, studim projekti 81 milionë lekë
Për të shmangur rritjen e volumit të trafikut që i dejtohet Juglindjes së vendit, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur tenderin për Bypassin e Elbasanit, një synim i qeverisë prej disa vitesh. Me vlerën 81 milionë e 800 mijë lekë, ky autoritet tashmë po kërkon kompaninë që do të bëjë “Studim projektim të ByPassit të Elbasanit”.
ARRSH vlerëson se ndërtimi i këtij Bypassi është i domosdoshëm për shkak të kalimit të aksit rrugor dhe ekonomik në vendin tonë, korridorit lindje – perëndim që shtrihet në pjesën më të madhe në Bashkinë Elbasan dhe kalon pranë qytetit të Elbasanit.
“Unaza aktuale e qytetit të Elbasanit, nuk ka parametrat e nevojshme për të përballuar trafikun në rritje të këtij korridori ndërkombëtar. Prandaj dhe është më se e nevojshme studimi dhe ndërtimi i ByPass-it të qytetit të Elbasanit, duke shmangur kështu zonat urbane, rritjen e kapacitetit të lëvizjes së trafikut përgjatë korridorit VIII si dhe rritjen e sigurisë si për përdoruesit e rrugës, ashtu edhe të banorëve të zonave përreth, që ndikohen nga ky aks rrugor” thuhet në dokumentin e ARRSH.
Projekti është menduar të nisë nga përfundimi i autostradës Tiranë-Elbasan dhe të përfundojë në dalje të qytetit në segmentin Elbasan-Përrenjas. Duke qenë se aktualisht për këtë zonë po zbatohet edhe një projekt tjetër siç është “Zgjerimi i segmentit rrugor Elbasan-Qafë-Thanë” rreth 1 440 m larg fshatit Labinot Fushë kjo pikë është një tjetër alternativë për përfundimin e Bypassit.
Rruga është menduar që të ketë dy korsi kalimi me 3.75 gjerësi secila, një korsi emergjence, bankinë të asfaltuar, si dhe ishull trafik.
Konsulenti që do të bëjë studimin do të duhet të analizojë në detaj zonat ku do të kalojë ky segment dhe ndikimin që do të ketë në ndërtimet e zonës.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.