BE arrin 90% të kapacitetit për ruajtjen e gazit – Objektivi arrihet para afatit për të dytin vit radhazi
Kristi Ceta/SCAN
Bashkimi Evropian (BE) arriti objektivin e tij për të mbushur objektet e depozitimit të gazit në 90% të kapacitetit mbi dy muaj përpara afatit të 1 nëntorit, njoftoi Komisioni Evropian.
Të dhënat e fundit të publikuara nga Gas Infrastructure Europe treguan se nivelet e depozitimit të gazit arritën në 90.02%, ekuivalente me gati 92 miliardë metra kub (bcm).
Kjo arritje pasqyron performancën e vitit të kaluar kur objektivi u arrit po ashtu nga mesi i gushtit.
Sipas Rregullores për Magazinimin e Gazit, e cila hyri në fuqi në 2022, objektet e magazinimit në shtetet anëtare duhet të arrijnë kapacitetin 90% deri më 1 nëntor të çdo viti për të garantuar sigurinë e furnizimit gjatë muajve të dimrit, pasi mund të mbulojnë deri në një të tretën e kërkesës së BE-së për gaz.
Komisioneri i Energjisë tha se situate do të vazhdojë të monitorohet në mënyrë që nivelet e depozitimit të gazit të mbeten mjaftueshëm të larta gjatë muajve të ardhshëm.
Vendet e BE-së, të cilat përdorin rreth 400 miliardë metra kub gaz në vit, kanë 110 miliardë metra kub kapacitet depozitimi të gazit natyror.
Para Luftës në Ukrainë, 40% e gazit natyror të konsumuar në vendet e BE-së vinte nga Rusia. Megjithatë, pas nisjes së luftës, eksportet e gazit natyror rus në BE kanë rënë ndjeshëm.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.