BE synon mineralet kritike – Kërkohet blerja në “bllok” e lëndëve të para
Komisioni Evropian do të nisë një thirrje brenda disa ditësh për projekte me qëllim përmirësimin e furnizimit me minerale kritike dhe shpreson të fillojë së shpejti blerjet e përbashkëta të BE-së përgjatë linjave të skemës ekzistuese për gazin.
Akti i lëndëve të para kritike të BE-së është krijuar për të garantuar furnizimin me litium, bakër dhe minerale të tjera thelbësore për tranzicionin e gjelbër dhe digjital, për t’i mundësuar bllokut të prodhojë automjetet e veta elektrike, ose turbinat e erës dhe të reduktojë varësinë nga Kina. Akti hyn në fuqi më 23 maj.
Nënkryetari i Komisionit, Maros Sefcovic, tha se, ekzekutivi i BE do të thërriste një takim të parë të një bordi me vendet anëtare që mbikëqyrin aktin.
Projektet e përpunimit, riciklimit, ose minierave, që konsiderohen strategjike, duhet të jenë në gjendje të sigurojnë leje në 15-27 muaj, shumë më shpejt se normalja. Eurobattery Minerals AB e Suedisë ka thënë se do të paraqesë një aplikim që një minierë në Finlandë të jetë strategjike.
Sefcovic tha se Komisioni kishte filluar të hartonte planet për blerje të përbashkëta deri në 30 materiale, duke u mbështetur në përvojën e tij të blerjeve të zakonshme të gazit. Ekzekutivi i BE-së do të vepronte si një ndërmjetës mes furnitorëve globalë dhe blerësve.
Komisioneri tha se platforma e përdorur për blerjet e gazit mund të shërbejë si një plan, megjithëse blerja e shumë mineraleve të ndryshme kritike do të ishte më komplekse. Sistemi mund të përdoret gjithashtu për të marrë një kuptim më të saktë të kërkesës në të ardhmen.
Sefcovic tha se Komisioni po shqyrtonte gjithashtu mundësinë e grumbullimit të disa mineraleve kryesore, duke thënë se frymëzimi erdhi nga modeli japonez për tokat e rralla.
Dorian Koça/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.