Bie kërkesa për automjete elektrike në BE – Reduktim i ndjeshëm i shitjeve në Gjermani
Shitjet e automjeteve të reja me bateri elektrike në Bashkimin Europian ranë me 12% në maj nga një vit më parë, të ndikuar nga një rënie prej 30% në Gjermani, sipas të dhënave të industrisë së automobilave në Europë.
Gjermania, tregu më i madh i bllokut të automjeteve elektrike, në dhjetor solli një fund të hershëm të subvencioneve për blerjen e automjeteve elektrike si pjesë e një marrëveshjeje buxhetore të minutës së fundit për 2024-ën. Sipas Shoqatës Europiane të Prodhuesve të Automobilave – ACEA, është konfirmuar një rënie prej 16% në shitjet e automjeteve elektrike.
Këto të fundit në bllok ranë me 3% në maj nga i njëjti muaj në 2023-shin, rënia e dytë këtë vit dhe ranë 2.6% në një rajon më të gjerë që mbulon BE-në, Britani dhe Shoqatën Europiane të Tregtisë së Lirë, EFTA.
Kërkesa për automjete elektrike në Europë është ftohur muajt e fundit, pasi u rrit fuqishëm për disa vite, ndërsa konkurrenca për të prodhuar modele më të përballueshme është rritur.
Për të mbrojtur prodhuesit vendas të automjeteve nga një fluks i importeve të lira të automjeteve elektrike, komisioni Europian tha se do të vendosë tarifa të përkohshme deri në 38.1% për automjetet elektrike të prodhuara në Kinë duke filluar nga korriku.
Prodhuesi amerikan i makinave elektrike Tesla, tha se priste të rriste çmimin e Modelit 3 të prodhuar në Kinë kur të hyjnë në fuqi masat e BE-së. Kompania e Elon Musk regjistroi një rënie prej 34.2% në shitjet e majit në BE.
Stagnimi aktual i tregut të automjeteve elektrike është pritur prej vitesh, por shitjet duhet të rriten nga viti 2025, kur synimet e ardhshme të emetimit të makinave të BE-së të fillojnë, tha grupi europian i fushatës Transport & Mjedis.
Automjetet e elektrizuara – modele plotësisht elektrike, hibride plug-in dhe hibride të plota – përbënin 48.9% të të gjitha regjistrimeve të reja të makinave të pasagjerëve në BE në maj, nga 46.2% një vit më parë.
Dorina Kurtaj /SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.