Bonot e thesarit dominojnë titujt e Qeverisë – Më shumë investitorë individual, pjesëmarrës në tregun sekondar
Gjatë tre muajve të parë të këtij viti, vëllimi i tregut sekondar të titujve të Qeverisë u dominua në masën e 81.41% nga transaksione në instrumente afatshkurtër që i përkasin bonove të thesarit dhe 18.59% nga transaksionet në instrumente afatgjatë që i përkasin obligacioneve.
Sipas të dhënave të publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, parë nga këndvështrimi i numrit të transaksioneve 91.03% e të gjitha transaksioneve të tregut sekondar të titujve të Qeverisë jashtë Burse, i takojnë transaksioneve të kryera në bono thesari.
Sipas të dhënave të tregut me pakicë të titujve të Qeverisë për periudhën janar- mars 2024, ka një dominim të transaksioneve “Blerje në tregun primar” dhe “Shlyerje e vlerës nominale në maturim” përkatësisht me 47.67% dhe 46.39% kundrejt vëllimit të përgjithshëm.
Pjesëmarrja në tregun sekondar të titujve të Qeverisë jashtë Burse, për periudhën janar-mars 2024 dominohet nga investitorët individualë, të cilët kryejnë 99% të të gjitha transaksioneve në këtë treg.
Sa i përket zërit “Shitje nga portofoli i ndërmjetësit financiar” gjatë kësaj periudhe është regjistruar rënie e konsiderueshme si në numër, ashtu edhe në vlerë transaksionesh. Ndërkohë, që e njëjta ecuri vërehet edhe në zërin “Blerje para afatit të maturimit”.
Në totalin e transaksioneve të këtyre dy zërave të marra së bashku, vihet re një ulje në vlerë absolute me rreth 882 milionë lekë, krahasuar me periudhën janar-mars 2023.
Dorian Koça/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.