Britania përballet me rritje prej 80% në faturat e energjisë pasi rregullatori rrit kufirin e çmimeve!
Kostoja e energjisë për konsumatorët britanikë do të rritet me 80% nga tetori, tha të premten rregullatori i Mbretërisë së Bashkuar. Lëvizja e Ofgem do të bëjë që faturat mesatare vjetore të familjeve të rriten në 3,549 paund (4,204 euro).
Lëvizja duket se do të nxisë më tej inflacionin mes një krize të kostos së jetesës dhe do të ushtrojë presion ndaj qeverisë për të vepruar.
Shefi Ekzekutiv i Ofgem, Jonathan Brearley tha se rritja do të kishte një “ndikim masiv” në familjet në të gjithë Britaninë dhe një rritje tjetër ka të ngjarë në janar, duke reflektuar presionin e rëndësishëm të çmimeve në tregjet e energjisë.
Ai tha se qeveria duhet të japë ndihmë të mëtejshme për familjet.
“Paketa e mbështetjes së qeverisë po ofron ndihmë tani, por është e qartë se kryeministri i ri do të duhet të veprojë më tej për të trajtuar ndikimin e rritjes së çmimeve që do të vijnë në tetor dhe vitin e ardhshëm”, tha ai. “Përgjigja do të duhet të përputhet me shkallën e krizës që kemi përpara.”
Ministri i Financave Nadhim Zahawi tha se ai po punonte mbi një plan për të qenë gati për qeverinë e ardhshme, e cila do të emërohet kur Liz Truss ose Rishi Sunak të bëhen kryeministër në 5 shtator.
Lëvizja e rregullatorit vjen mes rritjes së çmimeve globale të gazit, të përkeqësuara që nga fillimi i luftës së Rusisë në Ukrainë, e cila ka parë sanksionet perëndimore të vendosura ndaj Moskës.
Edel Strazimiri / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.