Mbeturinat dhe plehrat masive të Tokës janë “super emetues” të metanit, i cili ngroh planetin më shumë se CO2!
Të dhënat e mbledhura nga satelitët tregojnë se deponitë e mëdha të Tokës lëshojnë më shumë metan sesa pritej. Ky gaz është i aftë të ngrohë planetin më shumë se CO2.
Vendgrumbullimet e mëdha të Tokës, pranë qyteteve të mëdha ku ende nuk është gjetur asnjë mënyrë për të menaxhuar mbeturinat, po lëshojnë në atmosferë sasi të mëdha metani, një gaz që, edhe më shumë se dioksidi i karbonit, ka kapacitet të lartë për të mbajtur nxehtësinë në atmosferën e tokës dhe në këtë mënyrë për të ngrohur planetin.
Për të hetuar problemin, u krye një hulumtim që përdori të dhëna satelitore të marra duke fluturuar mbi deponitë e Delhi dhe Mumbai në Indi, Lahore në Pakistan dhe Buenos Aires në Argjentinë, të cilat janë ndër më të mëdhatë në botë.
Këto zona dihej se lëshonin vazhdimisht vlera të larta të metanit, por studimi i ri zbuloi se këto emetime janë 1.4 deri në 2.6 herë më të larta se vlerësimet e llogaritura deri më tani. Studimi, i publikuar në Science Advances, synon gjithashtu të inkurajojë qeveritë vendore që të bëjnë përpjekje të synuara për të reduktuar këto emetime jashtëzakonisht të dëmshme.
Dihet se kur mbetjet organike, si ushqimi, druri ose letra, dekompozohen, ato lëshojnë metan në ajër: të gjitha hulumtimet sot pohojnë se të paktën 25 për qind e ngrohjes globale shkaktohet nga metani që përdoret ose prodhohet drejtpërdrejt ose indirekt nga aktivitetet njerëzore.
Edhe pse ai përbën vetëm 11 për qind të emetimeve të gazeve serrë dhe qëndron rreth një duzinë vjet në atmosferë, metani kap 80 herë më shumë nxehtësi sesa dioksidi i karbonit. Kjo është arsyeja pse veprimet e forta dhe të menjëhershme për të reduktuar emetimet e këtij gazi mund të kenë efekte relativisht të shpejta dhe pozitive në mjedisin e Tokës.
Veçanërisht në vende si India ku deponitë janë pothuajse përgjithmonë në zjarr, duke emetuar jo vetëm sasi të mëdha metani, por edhe një gamë të gjerë të ndotësve të dëmshëm’. Rastësisht, në fillim të vitit 2022, tymi qëndroi mbi Nju Delhi për ditë të tëra pasi një deponi e madhe mori flakë gjatë një vale ekstreme të të nxehtit, me temperatura që i kalonin 50 gradë celsius.
Nuk ka asnjë vend në botë që nuk emeton metan dhe aktualisht Kina dhe India janë në krye të renditjes botërore të emetuesve të këtij gazi, sipas një analize të fundit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë. Sidoqoftë, në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Klimën 2021, si India dhe Kina nuk donin të nënshkruanin angazhimin për të reduktuar emetimet e metanit me 30 për qind deri në vitin 2030 krahasuar me nivelet e vitit 2020, të nënshkruar nga 104 vende të tjera.
Edel Strazimiri / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.