Cameron në Tiranë: Mbështesim ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë – “Kur Ballkani Perëndimor ja del mbanë, edhe Evropa ja del mbanë”
Bashkëpunimi më i fundit ndërmjet qeverisë shqiptare dhe asaj britanike për parandalimin e emigracionit të paligjshëm, solli rënien me 90% të numrit të anijeve me emigrantë shqiptarë që tentojnë të kalojnë në Britaninë e Madhe.
Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Cameron, është sot në Tiranë për të diskutuar pikërisht mbi vijimin e këtyre politikave për trajtimin e emigracionit të paligjshëm dhe një program të përbashkët për luftimin e pastrimit të parave, korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në deklaratën për mediat, kryeministri Edi Rama theksoi se në qendër të diskutimit me Cameron ishte mbështetja financiare e Britanisë së Madhe për ndërtimin e hekurudhës Durrës – Prishtinë dhe hapjen e garës ndërkombëtare për portin tregtar të Durrësit.
Sekretari i Jashtëm vlerësoi sukseset e Shqipërisë sa i takon zhvillimit ekonomik dhe angazhimit në organizatat ndërkombëtare, si dhe deklaroi që Britania e Madhe do të vijojë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, gjyqësorit dhe emigracionit të parregullt.
Ndër të tjera, kryeministri Rama njoftoi që në 18 korrik të vitit të ardhshëm, Shqipëria do të jetë vend pritës i samitit të Komunitetit Politik Europian. Programi i përbashkët midis dy vendeve për luftën ndaj trafikimit të qenieve njerëzore do të vijojë dhe marrëdhëniet dypalëshe midis vendeve priten të thellohen.
Britania e madhe kërkon të jetë më shumë e pranishme në rajon dhe gjithashtu të përfshihet në proceset e paqtimit përmes normalizimit të marrëdhënieve midis shteteve fqinje.
Ledina Elezi/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.