Çmim rekord i vajit të ullirit në Europë – “Nuk parashikohet të ulet për dy vitet e ardhshëm”
“Fluturon” çmimi i vajit të ullirit në Europë. Në Itali në vitin e fundit është rritur me 37%, duke shënuar shtrenjtimin e dytë më të madh në shportën e shpenzimeve pas sheqerit. Por, dhe perspektivat nuk janë aspak të mira. Çmimi nuk parashikohet të ulet për të paktën dy vitet e ardhshëm. Inflacioni nuk është arsyeja e vetme. Zv/presidenti i Coldiretti, David Granieri, shpjegon se problemi kryesor mbeten rezervat dhe nga një vlerësim që është bërë për rikapitalizimin e magazinave do të duhen të paktën dy vjet, në rast se kjo periudhë do të rezultojë me prodhimtari të lartë.
‘Viti i tmerrshëm’ 2022-2023 përfundoi me një rënie prej 27% të prodhimit në Itali dhe mbi të gjitha me një kolaps 56% në Spanjë, e cila është prodhuesi kryesor në botë. Granieri shpjegon se Spanja ka konsumuar të gjithë rezervat e disponueshme dhe kjo ka bërë që çmimet të rriten në nivele rekord. Në periudhat tradicionale vaji spanjoll gjendej lehtësisht me 5 euro për kilogram, ndonjëherë edhe 3 euro.
Tani nuk ka pothuajse asnjë ndryshim me atë të prodhimit kombëtar, çmimet janë të gjitha nga 8.7 deri në 9.5 euro për litër. Në fund të gushtit, një litër vaj ulliri ekstra i virgjër shitej në supermarketet spanjolle me 10 euro për litër. Nëse rritja mesatare e çmimit të vajit ishte 38%, në rastin e vajit ekstra të virgjër, rritja në një vit ishte me 227%.
Fushata spanjolle 2022-2023 duhej të harrohej për shkak të tendencës anormale të klimës, por prodhuesit iberikë janë dorëzuar tashmë: thatësira e fortë që goditi gadishullin këtë verë nuk premton mirë për vjeljen dhe prandaj nuk ka furnizime nga Spanja.
Ndërsa në Itali, fermerët në rajonin e Umbrias kanë bërë të ditur tashmë se vjelja e vitit 2023 do të pësojë një rënie prej mbi 50%. Sipas ekspertëve, një seri ngjarjesh të pafavorshme klimatike kanë prekur bimët dhe frutat, duke përmendur këtu thatësirën e dimrit, ngricat e deri te reshjet e pareshtura pranverore të cilat shkaktuan probleme të mëdha në kalimin nga lulja në frut. Në rajonin e Toskanës, vlerësimet fillestare të prodhuesve supozojnë një rënie më të kufizuar, midis 10 dhe 20%.
Perspektivat më të qarta do të jenë të disponueshme vetëm në fund të muajit. Granieri parashikon se në përgjithësi për sa i përket sezonit të ardhshëm të kultivimit të ullirit, në të gjithë Italinë Qendrore pritet një rënie prej 50%, ndërsa në Jug prodhimi do të bjerë me 10% krahasuar me vitet më të mira. Edhe mes industrialistëve të përpunimit ka pak optimizëm. Krahasuar me fushatën ‘tragjike’ 2022-2023, sigurisht që pritet një përmirësim, por as ky aktuali nuk do të jetë një vit për t’u mbajtur mend.
Italia e mbylli fushatën e fundit me 240 mijë tonë vaj, krahasuar me një potencial kombëtar prej 300 mijë, dhe këtë vit mund të synojë 270 mijë tonë. Një vit mesatar, me pak fjalë, me një prodhim 50-60% krahasuar me një vit të plotë. Më pas do të varet shumë nga ajo që do të ndodhë në ditët në vijim, nëse do të ketë apo jo ato ngjarje ekstreme klimatike me të cilat Mesdheu është mësuar vitet e fundit. Kjo është edhe arsyeja pse askush nuk mund të bëjë parashikime më të sakta.
Dorina Kurtaj /SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.