Çmimet e naftës ulen mbi 1% Ndërsa Dollari arriti një nivel të ri maksimal të dy dekadave
Çmimet e naftës ranë me më shumë 1% të mërkurën, nën presionin e forcimit të dollarit. Kontratat e së ardhmes së naftës së papërpunuar Brent ranë 1,08 dollarë, në 85,19 dollarë për fuçi, ndërsa çmimet e naftës së papërpunuar të Teksasit Perëndimor ranë 99 cent, 77,51 dollarë për fuçi.
Dollari arriti një nivel të ri maksimal të dy dekadave, kundrejt një shporte valutash, për shkak të rritjes së yield-eve të thesarit. Një dollar i fortë ul kërkesën për naftë duke e bërë atë më të shtrenjtë për blerësit që përdorin monedha të tjera. Tregjet aziatike të aksioneve ranë pasi rritja e kostove të huamarrjes nxiti frikën e një recesioni global, duke trembur investitorët.
Stoqet e naftës së papërpunuar në SHBA u rritën me rreth 4.2 milionë fuçi për javën e mbyllur më 23 shtator, ndërsa inventarët e benzinës ranë me rreth 1 milion fuçi. Rezervat e distilimit u rritën me rreth 438 mijë fuçi. Goldman Sachs uli parashikimin e çmimit të naftës për vitin 2023, për shkak të pritjeve për kërkesë më të dobët dhe një dollar më të fortë amerikan, por tha se zhgënjimet e ofertës globale vetëm sa përforcuan perspektivën e saj afatgjatë rritëse.
Prodhuesit filluan t’i kthejnë punëtorët në platformat e naftës në det të hapur pasi e mbyllën prodhimin përpara uraganit Ian, që hyri në Gjirin e Meksikës pranë SHBA-së të martën dhe parashikohet të bëhet një stuhi e rrezikshme e kategorisë 4 mbi ujërat e ngrohta të Gjirit.
Rreth 190,000 fuçi në ditë të prodhimit të naftës, ose 11% e totalit të Gjirit munguan në treg. Prodhuesit humbën 184 milionë metra kub gaz natyror, ose gati 9% e prodhimit ditor, ndërsa personeli u evakuua nga 14 platforma prodhimi.
Ian është uragani i parë këtë vit që pengon prodhimin e naftës dhe gazit në Gjirin e Meksikës, i cili prodhon rreth 15% të naftës së papërpunuar të Shteteve të Bashkuara dhe 5% të gazit natyror të thatë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.