Çmimi i inputeve bujqësore u dyfishua! – Në 7 muaj u importuan 73 mijë ton më pak, paguam 75 mln euro
Rritja e çmimit të inputeve bujqësore gjatë këtij viti ka qenë një ndër problematikat më të mëdha me të cilat janë përballur fermerët. Në muajin Mars tre kompani importuese u gjobitën nga Autoriteti i Konkurrencës me argumentin se kanë abuzuar me çmimet, ndërsa shoqata e shqiptare e tregtarëve të plehrave dhe agrobiznesit,(AFADA) ka kundërshtuar këtë vendim, duke theksuar se çmimet janë rritur si pasojë e konfliktit Rusi-Ukrainë nga ku dhe vijnë një pjesë e mirë e këtyre produkteve.
Por si kanë ecur importet gjatë këtij vitit? Referuar të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, sasia e importuar përgjatë periudhës Janar-Korrik 2022 është 103.3 mijë ton, me një rënie të konsiderueshme prej rreth 73 mijë tonë krahasuar më të njëjtën periudhë të një viti më arë. Ndërkohë që e kundërta ka ndodhur me vlerën e paguar për këto produkte.
Pavarësisht rënies së ndjeshme të sasisë, në 7 muaj janë paguar 8.76 miliardë lekë apo 75 milionë euro për blerjen e inputeve dhe plrehrave kimikë nga jashtë, ndërkohë që në 7 mujorin 2021 u paguan 8.73 miliardë lekë për një sasi shumë më të lartë.
E llogaritur ndryshe, në 2021-shin është paguar mesatarisht 49.6 lekë për kg, ndërsa gjatë këtij viti është paguar 84.8 lekë për kilogram, më një çmim afro të dyfishuar. Kjo rritje pritet të reflektohet edhe në rritjen e çmimeve të prodhimit vendas, pasi pavarësisht mbështetjes nga Skemat Kombëtare në bujqësi për blerjen e inputeve bujqësore, ajo është e vogël në raport me prodhimin vendas në tërësi.
Elisabeta Dosku / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.