Dy skenarë për çmimin e vajit të ullirit – Parashikohet rritje e prodhimit këtë vit në Spanjë dhe Greqi
Një rënie e lehtë është shënuar së fundmi në çmimet e prodhuesve të vajit të ullirit në Greqi dhe Spanjë, pas një viti kur “fruti i artë” u shndërrua në një artikull luksi. Megjithatë, sipas ekspertëve, ka ende shumë për të bërë përpara se çmimet t’i afrohen niveleve të para krizës dhe de-përshkallëzimi të arrijë në dyqane dhe në konsumatorin final.
Në supermarkete sot çmimi i vajit të ullirit fillon nga 10.90 euro dhe arrin deri në 18 euro për litër, ndërsa bio ka shkuar deri në 22.60 euro për litër. Vajrat ekstra të virgjër të ullirit aktualisht shiten nga prodhuesit nga 7,80 deri në 8,20 euro për litër, kur një muaj më parë çmimet ishin 9,30-9,50 euro. Ndërkohë, tregu ka pasur një qetësi relative gjatë dy muajve të fundit, pasi shumica e blerësve të mëdhenj janë përpjekur të mbushin sa më shumë magazinat e tyre.
Rënia në çmimet e prodhimit është 1-1.30 euro, por konsumatorët nuk e kanë “parë” ende në portofolin e tyre. Në mënyrë indikative, prodhuesit thonë se kjo rënie është për shkak të pritjes për një nivel më të mirë çmimesh në Spanjë dhe Greqi dhe në të njëjtën kohë për uljen e sasisë në konsum. Mirëpo, kjo nuk po reflektohet qartë në dyqane, pasi ndonëse se çmimi i prodhuesve ra me 1 euro, nuk do të thotë ulje automatike për konsumatorët.
“Procesi i ripërshtatjes nuk ndodh automatikisht, as nga ana e standardizuesve, as nga ana e shitësve me pakicë”, shprehen ekspertët e sektorit. Sipas tyre, prodhimi i këtij viti në Greqi do të jetë më i lartë se një vit më parë kur u regjistrua deri në 150,000 ton.
Në të njëjtën kohë në Spanjë, e cila në masë të madhe formëson çmimin përfundimtar, parashikimi për periudhën aktuale ishte për 740,000 ton dhe përfundoi në 850,000 ton. Duke qenë se vendi iberik potencialisht në një vit mund të prodhojë më shumë se 2 milionë ton, norma prej 50%-60% e saj për vitin e ri duket e mundur.
Një skenar i dytë, është ai në të cilin me fillimin e sezonit të ri të ullirit, prodhimi do të jetë më se i mjaftueshëm për të mbuluar nevojat.
Dorian Koça/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.