Edhe amerikanët kërkojnë një punë të dytë – Inflacioni në rritje “gërryen” të ardhurat për familjet
Inflacioni gjithnjë në rritje po detyron më shumë se gjysmën e punëtorëve amerikanë të marrin në konsideratë gjetjen e një pune të dytë, sipas një studimi nga kompania teknologjike Qualtrics.
Sondazhi më më shumë se 1,000 punonjës me kohë të plotë tregoi se 38% kanë kërkuar për një punë të dytë, ndërsa 14% e tjerë planifikojnë ta bëjnë këtë. Kjo do të thotë se “më shumë se gjysma e amerikanëve që punojnë po mendojnë për punë të tjera për të paguar shpenzimet e tyre të jetesës që po rriten nga dita në ditë”, tha kompania.
Inflacioni në SHBA është në nivelin 6,6%, më i larti në 40 vite dhe në të njëjtën kohë, rritja e pagave nuk ka mbajtur të njëjtin ritëm, çka përkthehet në rënie të fuqisë blerëse për punonjësit. Kjo ka bërë që disa të shkurtojnë shpenzimet e përditshme, ndërsa të tjerë po planifikojnë të shkurtojnë shpenzimet për pushime.
Presionet financiare janë edhe më të mëdha për punonjësit me fëmijë, sipas sondazhit, i cili zhvilloi anketën në gusht dhe shtator. Rreth 7 në 10 prindër që punojnë thanë se paga e tyre nuk është në përputhje me koston e jetesës. Dhe rreth 47% kanë kërkuar për një punë të dytë, krahasuar me 38% të punonjësve në total.
Inflacioni mbetet i nxehtë pavarësisht regjimit të rritjes së normave të interesit nga Rezerva Federale këtë vit, të cilat synojnë të zbusin rritjen e çmimeve.
Për të përballuar kostot më të larta, disa punonjës po kërkojnë më shumë orë pune nga punëdhënësit e tyre, ndërsa të tjerë thonë se po kërkojnë një punë me pagesë më të lartë, vuri në dukje Qualtrics. Pothuajse 6 në 10 duan të punojnë jashtë orarit, ose turne shtesë, ndërsa rreth 4 në 10 kanë kërkuar për një punë të re me paga më të larta.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.