Energjia për aeroportin e Vlorës – OST hap tenderin 427 mln lekë, nënstacion dhe linjë e re elektrike për të furnizuar veprën
Siguria e furnizimit me energjie elektrike e aeroportit të Vlorës, që parashikohet të nisë funksionimin vitin që vjen, ka shtyrë Operatorin e Sistemit të Transmetimit të investojë në ndërtimin e një nënstacioni të ri elektrik. Ky dikaster ka hapur tenderin me fond limit 427 mln lekë për ndërtimin e tij në zonën e Akërnisë, si dhe zhvillimin e linjës 35 kV Akërni – Aeroporti i Vlorës.
Në dokumentet e tenderit, OST specifikon se procedura prokuruese është hapur pas vlerësimit të gjendjes aktuale te rrjetit të tensionit të mesëm 35kV në zonën bregdetare që furnizon nëntacionet midis rajonit Akërni – Aeroport – Vlorë dhe problematikat me furnizimin me energji elektrike në periudhat e ngarkuara të stinës së veres.
Sipas OST, përfitimet nga ndërtimi i këtij nënstacioni elektrik do të jenë që nga rritja e sigurisë së furnizimit me energji elektrike të abonentëve familjarë dhe bizneseve të zonës turistike bregdetare e deri te zhvillimi i turizimit si pjesë e rëndësishme ekonomike e zhvillimit të zonës, edhe për shkak të ndërtimit të Aeroportit të ri në Akërni të Vlorës.
Po ashtu, ndërtimi i këtij nënstacioni do të mundësojë sigurinë e furnizimit me energji elektrike, me linjë të dytë dhe të pavarur për këtë aeroport, si kusht i domosdoshëm për furnizimin e tij.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.