Shqipëria Postuar më 21 Korrik 2026, 11:16

6.5 mld lekë për projektet e infrastrukturës - Akti normativ/ Malaj: Financim i mbrojtjes, rritja e pensioneve nga 1 Korriku

Nga Elisabeta Dosku

6.5 mld lekë për projektet e infrastrukturës - Akti normativ/

Akti normativ i qeverisë për ndryshime në buxhetin e vitit 2026, do të mundësojë akomodimin e politikave me ndikim të menjëhershëm ekonomik dhe social, siç janë indeksimi pensioneve dhe rritja e fondeve për startup-et, financimi i mbrojtjes dhe infrastrukturës.

Gjatë prezantimit të aktit në komisionet parlamentare, Ministri i Financave, Petrit Malaj theksoi se indeksimi i pensioneve me 2.7 % i nis efektet nga 1 Korriku, ndërsa vitin e ardhshëm do të bëhet në muajin Prill.

“Urgjenca e kësaj ndërhyrjeje lidhet ngushtësisht me garantimin e zbatimit në kohë të politikave me ndikim të menjëhershëm ekonomik dhe  social, të lidhura ngushtë me afate të përcaktuara ligjore dhe buxhetore.  Më konkretisht: Afrimin e indeksimit të pensioneve me efekt financiar nga 1 korriku (pra jo më nga 1 tetori). Plani është që vitin e ardhshëm indeksimi i pensioneve të bëhet në muajin Prill, siç ka qenë edhe më parë. Dyfishimin e pagesës për fëmijët me aftësi të kufizuara me efekt financiar nga data 1 korrik 2026; Mbulimin nga shteti të pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për kujdestarët e personave PAK, me efekt nga data 1 Tetor 2026 dhe me një kosto financiare vjetore prej 2 miliardë lekësh.  Sigurimin e financimit të menjëhershëm të shpenzimeve prioritare në fushën e mbrojtjes, në funksion të përmbushjes së angazhimeve ndërkombëtare të Shqipërisë ndaj NATO-s, gjatë vitit buxhetor 2026;  Garantimin e burimeve financiare të nevojshme për përmbushjen e detyrimeve, që lidhen me procesin e integrimit evropian”.

Sipas Ministrit, përmes aktit normativ, një rëndësi e veçantë i kushtohet investimeve në infrastrukturë.

“1 miliard lekë financim i huaj shtesë për projektet me ecuri të mirë. 6.5 miliardë lekë financim shtesë për investimet infrastrukturore prioritare. Nga kjo shumë, 3 miliardë lekë do të përdoren për krijimin e Operatorit të Shërbimeve të Logjistikës Bashkiake, me qëllim mbështetjen e bashkive me makineri, pajisje dhe logjistikë”.

Përmes këtij akti normativ, Ministria e Ekonomisë dhe  Inovacionit merr 1.6 miliardë lekë shtesë;  Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale 3.9 miliardë lekë shtesë;  Ministria e Mbrojtjes, rreth 10.3 miliardë lekë; Ministria e Arsimit 750 milionë lekë shtesë; Ministria e Brendshme 704 milionë lekë dhe SPAK 200 milionë lekë.

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat