Shqipëria Postuar më 11 Qershor 2026, 12:40

Bypass-i i Elbasanit, mbyllet pa ankesa faza e ofertave - ARRSH drejt vlerësimit të propozimeve për 2 lotet e para me vlerë 5.8 mld lekë

Nga Ola Mitre

Bypass-i i Elbasanit, mbyllet pa ankesa faza e ofertave - ARRSH drejt

Procedurat tenderuese për ndërtimin e dy loteve të para të bypass-it të Elbasanit kanë avancuar në fazën e shqyrtimit të ofertave, pasi afati i dorëzimit të tyre u mbyll më 10 qershor pa asnjë ankesë të depozituar nga operatorët ekonomikë.

Mbyllja e kësaj faze i hap rrugë Autoritetit Rrugor Shqiptar për vijimin e procedurës me vlerësimin e ofertave të paraqitura dhe përzgjedhjen e kompanive që do të realizojnë segmentet e para të këtij projekti infrastrukturor.

Tenderët, me një fond limit total prej rreth 5.8 mld lekësh, përfshijnë ndërtimin e rrugës lidhëse mes aksit Tiranë – Elbasan dhe Korridorit VIII, një segment rreth 4 kilometra i gjatë që përbën pjesë të bypass-it të Elbasanit. Traseja nis para rrethrrotullimit të Bradasheshit dhe përfundon në afërsi të ish-Kombinatit Metalurgjik.

Ky investim synon të reduktojë ngarkesën e trafikut në hyrje-daljet e autostradës Tiranë – Elbasan, veçanërisht në zonën e Bradasheshit, e cila prej vitesh konsiderohet një nga pikat më problematike për qarkullimin e automjeteve.

Projekti përbën një pjesë integrale të Korridorit VIII Pan-Europian dhe do të mundësojë lidhjen ndërmjet dy segmenteve kryesore që janë aktualisht në zhvillim, Elbasan – Lekaj dhe Elbasan – Qafë Thanë.

Sipas parashikimeve, realizimi i bypass-it pritet të ulë kohën e udhëtimit, të reduktojë ndotjen e ajrit në qytet, si dhe të rrisë sigurinë rrugore. Projekti është përfshirë në Dokumentin e Politikave Prioritare 2027–2029 në kategorinë e investimeve të maturuara, me një kosto totale të vlerësuar prej rreth 240 milionë euro.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat