Shqipëria Postuar më 11 Qershor 2026, 11:36

Industria kërkon punonjës të kualifikuar - Arsimi profesional, hallka që duhet të mbështesë prodhimin vendas

Nga Diamila Leka

Industria kërkon punonjës të kualifikuar - Arsimi profesional,


Një industri më moderne kërkon jo vetëm investime në teknologji dhe financim, por edhe punonjës të kualifikuar. Pikërisht fuqia punëtore konsiderohet një nga elementët kyç për suksesin e Strategjisë Kombëtare Industriale 2026–2030, e cila synon ta orientojë ekonominë shqiptare drejt prodhimit me vlerë më të shtuar, eksporteve më cilësore dhe integrimit në tregjet evropiane.

Dokumenti parashikon që deri në vitin 2028, sistemet e arsimit, arsimit dhe formimit profesional, si dhe të nxënit gjatë gjithë jetës, të jenë më të përafruara me kërkesat për aftësi të ekosistemeve industriale prioritare. Në qendër të këtij procesi do të jenë aftësitë digjitale, aftësitë e gjelbra dhe kompetencat teknike që kërkohen nga sektorët prodhues.

Kjo do të thotë se programet e trajnimit nuk duhet të hartohen më të shkëputura nga tregu, por në bashkëpunim me industrinë. Strategjia kërkon që bizneset, institucionet arsimore dhe ofruesit e trajnimit të punojnë së bashku për modernizimin e kurrikulave dhe zhvillimin e programeve të lidhura me sektorët konkretë.

Në praktikë, kjo nënkupton më shumë orientim drejt profesioneve që kërkon industria, teknikë prodhimi, specialistë të mirëmbajtjes, operatorë të teknologjive të reja, punonjës me aftësi digjitale, por edhe profile që lidhen me efiçiencën e energjisë, riciklimin dhe ekonominë qarkulluese. Dokumenti thekson se sistemet e aftësive duhet të adresojnë edhe kushtet e punës, dialogun social dhe cilësinë e vendeve të punës në sektorët industrialë.

Një nga sfidat kryesore mbetet mospërputhja mes asaj që ofron sistemi arsimor dhe asaj që kërkon tregu. Për këtë arsye, strategjia synon të forcojë partneritetet mes industrisë dhe institucioneve të trajnimit, si dhe të reduktojë gradualisht hendekun e aftësive që pengon përmirësimin e prodhimit dhe adoptimin e teknologjisë.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat