Shqipëria Postuar më 24 Qershor 2026, 10:24

Sulmet kibernetike, AKSK merr rol hetimor - Grup i ri inteligjence me SHISH, ushtrinë dhe Ministrinë e Brendshme

Nga Fabjona Pasho

Sulmet kibernetike, AKSK merr rol hetimor - Grup i ri inteligjence me SHISH,

Siguria kibernetike pritet të bëhet pjesë e sigurisë kombëtare. Projektligji për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për sigurinë kibernetike” parashikon forcimin e rolit të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, duke i dhënë kompetenca më të gjera në koordinimin, mbikëqyrjen dhe reagimin ndaj incidenteve kibernetike.

Një nga ndryshimet më të rëndësishme është roli që AKSK merr në rastet kur një incident kibernetik dyshohet se lidhet me krim kibernetik apo vepra të tjera penale. Në këto raste, Autoriteti do të koordinojë me Policinë e Shtetit dhe institucionet ligjzbatuese për mbledhjen dhe ruajtjen e provave, si dhe për hetimin teknik të incidentit.

Projektligji parashikon gjithashtu ngritjen e Grupit Ndërinstitucional të Inteligjencës Kibernetike. Në këtë strukturë do të përfshihen Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Brendshme, Shërbimi Informativ i Shtetit, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes.  Ky grup do të ketë si detyrë shkëmbimin e informacioneve paralajmëruese për kërcënimet kibernetike, vlerësimin e ndikimit të tyre në sigurinë kombëtare, ekonomi dhe shërbime publike, si dhe hartimin e buletineve periodike për kërcënimet kibernetike.

NNdërkaq operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit do të detyrohen që të deklarojnë mënyrën se si ruhen dhe mbahen sistemet dhe administrimin e  sistemeve e tyre. Ata do të duhet të japin informacion për subjektin që administron infrastrukturën teknologjike, vendndodhjen e saj, masat e sigurisë, si dhe përdorimin e shërbimeve cloud apo virtualizimit.

Operatorët do të kenë detyrimin të vetëdeklarojnë masat teknike, organizative dhe operacionale të sigurisë kibernetike. Sipas projektligjit, informacioni i paraqitur duhet të jetë i saktë, i plotë dhe i përditësuar.

Për moszbatim të këtyre detyrimeve, projektligji parashikon edhe masa administrative. Gjobat variojnë nga 1 milion deri në 10 milionë lekë, ndërsa mosdorëzimi brenda afatit i vetëdeklarimit të masave të sigurisë kibernetike parashikohet të dënohet me 5 milionë lekë.

Zbatimi i ndryshimeve pritet të ketë edhe kosto buxhetore. Sipas relacionit, ngritja dhe funksionimi i Ekipit Përgjigjes ndaj Incidenteve të Sigurisë Kibernetike sektoriale mund të kushtojë në fazën e plotë rreth 350 deri në 450 milionë lekë në vit, ndërsa për vitin 2026 efekti financiar parashikohet në nivelin 120 deri në 150 milionë lekë.

 

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat