Shqipëria Postuar më 24 Qershor 2026, 10:20

Mbi 1,600 biznese të reja të regjistruara në maj - QKB: Shërbimet digjitale, në fokus të sipërmarrjeve

Nga Diamila Leka

Mbi 1,600 biznese të reja të regjistruara në maj - QKB:

Qendra Kombëtare e Biznesit ka administruar 14 mijë e 897 aplikime online gjatë muajit maj, ndërsa shërbimet më të përdorura kanë qenë ato që lidhen me regjistrimin tregtar.

Sipas të dhënave të publikuara, 12 mijë e 916 aplikime janë kryer në Regjistrin Tregtar, duke përbërë pjesën dërrmuese të totalit. Ndërkohë, 1 mijë e 137 aplikime janë paraqitur në Regjistrin e Lejeve dhe Licencave, ndërsa 844 aplikime të tjera kanë kaluar përmes Regjistrit të Pronarëve Përfitues.

Gjatë të njëjtës periudhë janë regjistruar 1 mijë e 604 biznese të reja. Po ashtu, Qendra Kombëtare e Biznesit ka lëshuar 101 licenca të reja dhe 17 leje për ushtrimin e veprimtarive të ndryshme ekonomike.

Përveç procedurave të regjistrimit dhe licencimit, QKB ka ofruar asistencë për qytetarët dhe përfaqësuesit e bizneseve gjatë procesit të aplikimit.

Në muajin maj janë asistuar 1 mijë e 232 telefonata, ndërsa 744 kërkesa janë trajtuar përmes komunikimit të drejtpërdrejtë me operatorët në chat.

Gjithashtu, 1 mijë e 347 kërkesa janë trajtuar nëpërmjet sistemit të biletave të asistencës dhe postës elektronike.

Në total, numri i rasteve të asistencës ka arritur në 3 mijë e 323, duke treguar nevojën e vazhdueshme të bizneseve për orientim në përdorimin e shërbimeve online.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat