Shqipëria Postuar më 22 Korrik 2026, 10:34

Garancia sovrane shkon në 5 miliardë lekë - Ndryshimet në skemë/ 1.5 miliardë lekë për bujqësinë, afati i shlyerjes 10 vjet

Nga Elisabeta Dosku

Garancia sovrane shkon në 5 miliardë lekë - Ndryshimet në

Qeveria ka bërë ndryshime në skemën e garancisë sovrane për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Referuar vendimit të botuar në Fletoren Zyrtare, Ministri i Financave do duhet të nënshkruajë një marrëveshjeve të re të garancisë shtetërore me bankat tregtare të nivelit të dytë, të përfshira në  skemë, në përputhje me ndryshimet e miratuara me këtë vendim.

Konkretisht, ndryshimet parashikojnë se Ministria e Financave merr përsipër të garantojë bankat deri në vlerën 5 miliardë lekë nga 3 miliardë që ishte më parë,  sipas kushteve dhe kufizimeve të përcaktuara në marrëveshje. Vlera e  Garancisë përfaqëson shumën maksimale të  pagesave që do të kryhen nga Ministria e Financave për të shlyer detyrimet e papaguara ndaj Huadhënësit që burojnë  nga Huat që do t’i nënshtrohen kësaj skeme garancie.

Shpërndarja e garancisë do të respektojë vlerën totale prej 5 miliardë lekësh, nga të cilat vlera  prej së paku 1.5 miliardë lekësh do jetë e dedikuar  për sektorin e bujqësisë dhe pjesa e mbetur prej 3.5 miliardë lekësh për sektorët e tjerë të ekonomisë.

Ministria Financave merr përsipër të garantojë deri në 70% të kolateralit të çdo Huaje që Huadhënësit do t’u  lëvrojnë Huamarrësve, sipas kushteve që pasojnë në këtë marrëveshje, ndërsa normat e interesit do të variojnë nga 2-3%.

Në asnjë rast, Ministria nuk merr përsipër garantimin e interesave, kamatëvonesave, penaliteteve apo çdo lloj detyrimi tjetër monetar, që mund të burojë nga Huat që bankat do tu lëvrojnë bizneseve. 

Po ashtu, është rritur edhe vlera e kredisë që mund të marrë çdo biznes, nga 25 milionë lekë në 200 milionë lekë.

Afati i shlyerjes, nga 3-5 vjet, është zgjatur në 10 dhjetë vjet. 

Në rastet e parapagimit të Huas, Huadhënësit  nuk duhet të aplikojnë komision, penalitet apo çfarëdo lloj mase tjetër që lidhet me parapagimin e kredisë.

Garancia Sovrane është një produkt i cili do t’i vijë në ndihmë nga Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, pasi ato përbëjnë 99% të ndërmarrjeve aktive në Shqipëri, punësojnë mbi 82% të fuqisë punëtore në vend, si dhe mbulojnë 75% të investimeve që ndodhin në këtë sektor.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat