Shqipëria Postuar më 10 Qershor 2026, 12:06

Hoxha në SEECP: Rruga e Shqipërisë drejt BE-së ka hyrë në fazën më vendimtare, synohet mbyllja e negociatave deri në 2027

Nga Edel Strazimiri

Hoxha në SEECP: Rruga e Shqipërisë drejt BE-së ka hyrë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka marrë pjesë në takimin Ministror të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) që po zhvillohet në Sofje, ku ka bërë një bilanc të rrugëtimit të vendit drejt Bashkimit Evropian dhe rëndësisë së bashkëpunimit rajonal.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Hoxha vlerësoi se ajo që nisi si një aspiratë e sinqertë është shndërruar ndër vite në një projekt të qëndrueshëm dhe me ndikim, duke e pozicionuar SEECP-në si forumin politik kryesor të rajonit që nxit dialogun dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.

Gjatë fjalës së tij, kreu i diplomacisë shqiptare vuri theksin te bashkëpunimi ekonomik dhe projektet strategjike si Procesi i Berlinit, Plani i Rritjes dhe Korridori VIII, të cilat rrisin konkurrueshmërinë dhe përmirësojnë jetën e qytetarëve. Ndër të tjera, Hoxha shpjegoi se procesi i integrimit ka hyrë tashmë në një fazë dinamike dhe se objektivat e Shqipërisë mbeten të qarta.

“Objektivi ynë mbetet ambicioz, por realist: përfundimi i negociatave të anëtarësimit brenda vitit 2027 dhe anëtarësimi i plotë deri në vitin 2030”, deklaroi ministri, duke shtuar se ky proces zgjerimi duhet të jetë i bazuar në meritë dhe i besueshëm nga të dyja palët.

Në mbyllje të mesazhit të tij, ministri Hoxha nënvizoi se Shqipëria do të vazhdojë të investojë me vendosmëri në bashkëpunimin rajonal për të shmangur dobësitë që mund të minojnë stabilitetin apo të hapin rrugë për ndikime të jashtme negative.

Sipas tij, një ndërlidhje më e fortë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk është thjesht një domosdoshmëri, por përbën një investim strategjik për sigurinë, stabilitetin dhe begatinë e të gjithë Evropës.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat