Shqipëria Postuar më 8 Qershor 2026, 14:27

Investim britanik prej 1.6 milionë paund për sigurinë kufitare - Modernizohen 11 pika doganore në Shqipëri

Nga Edel Strazimiri

Investim britanik prej 1.6 milionë paund për sigurinë kufitare -

Ministri i Financave, Petrit Malaj, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, Besmir Beja, dhe Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Nicholas Abbott, inspektuan nga afër investimet e reja të realizuara në Degën Doganore të Bllatës për modernizimin e sistemeve të monitorimit dhe kontrollit kufitar.

Gjatë vizitës, ministri Malaj theksoi rëndësinë e mbështetjes britanike në forcimin e kapaciteteve të administratës doganore dhe rritjen e sigurisë në pikat e kalimit kufitar.

“Ky është një investim i rëndësishëm i financuar nga Mbretëria e Bashkuar përmes Home Office, i cili shtrihet në 11 pika doganore në vend dhe ka një vlerë prej 1.6 milionë paundësh. Projekti kontribuon drejtpërdrejt në modernizimin e infrastrukturës së kontrollit kufitar dhe në përmirësimin e standardeve të sigurisë”, deklaroi Malaj.

Sipas autoriteteve doganore, projekti ka sjellë një avancim të ndjeshëm teknologjik në monitorimin e lëvizjeve në kufi. Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, bëri të ditur se në kuadër të kësaj nisme janë instaluar 121 kamera të teknologjisë së avancuar në pika të ndryshme kufitare.

“Falë këtij investimi kemi rritur ndjeshëm kapacitetet tona operacionale. Sistemet e reja na mundësojnë monitorim më efikas të lëvizjeve kufitare, duke garantuar njëkohësisht siguri më të lartë dhe procedura më të shpejta për qytetarët dhe bizneset”, u shpreh Beja.

Nga ana e tij, ambasadori britanik Nicholas Abbott e cilësoi projektin si një dëshmi konkrete të bashkëpunimit të ngushtë mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar në fushën e sigurisë kufitare dhe luftës kundër aktiviteteve të paligjshme.

“Kjo nismë përfaqëson një shembull të suksesshëm të partneritetit mes dy vendeve tona. Rezultatet e deritanishme tregojnë se bashkëpunimi ynë po jep efekte konkrete në forcimin e kontrollit kufitar dhe rritjen e kapaciteteve institucionale”, tha Abbott.

Projekti është realizuar në bashkëpunim me institucionet britanike Home Office International Operations dhe HM Revenue & Customs (HMRC). Përveç sistemeve moderne të kamerave, ai përfshin edhe teknologjinë e leximit automatik të targave, e cila ndihmon në identifikimin e mjeteve me risk të lartë dhe në monitorimin më efektiv të lëvizjeve ndërkufitare.

Sipas autoriteteve, teknologjitë e reja do të kontribuojnë në luftën kundër trafikut të paligjshëm, kontrabandës dhe rasteve të transportit të parave të padeklaruara, duke forcuar më tej sigurinë në kufijtë e Shqipërisë dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat