Shqipëria Postuar më 8 Qershor 2026, 10:49

Mbi 159 mijë mjete të kontrolluara në pesë muaj - DPSHTRR: Autoveturat dominojnë testimet teknike

Nga Ernilda Luzi

Mbi 159 mijë mjete të kontrolluara në pesë muaj - DPSHTRR:

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ka publikuar bilancin e kontrollit teknik të mjeteve për periudhën janar-maj 2026, duke evidentuar një numër të lartë automjetesh që i janë nënshtruar procesit të verifikimit teknik në të gjithë vendin.

Sipas të dhënave nga DPSHTRR, gjatë pesë muajve të parë të këtij viti janë testuar gjithsej 159 mijë e 780 mjete pranë qendrave të kontrollit teknik. Pjesën dërrmuese të tyre e përbëjnë automjetet e kategorisë 4+1 dhe 8+1 vende, të cilat regjistrojnë 141 mijë e 59 testime, ose 88.3% të totalit. Kjo tregon se automjetet e përdorura për transportin individual dhe familjar vijojnë të dominojnë flotën e mjeteve, që i nënshtrohen kontrollit teknik periodik.

Pas tyre renditen kamionët me 8 mijë e 475 mjete të testuara, që përfaqësojnë 5.3% të totalit. Ndërkohë, motomjetet zënë 4.7% të testimeve, me 7 mijë e 450 mjete të kontrolluara gjatë kësaj periudhe.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se janë kryer kontrolle teknike për 1 mijë e 638 autobusë, ose rreth 1% të totalit. Ndërsa përfshihen edhe kategoritë e tjera, 609 rimorkio dhe 549 mjete ndërtimi apo punimi toke, të cilat së bashku përbëjnë më pak se 1% të mjeteve të testuara.

Kontrolli teknik konsiderohet një nga elementët kryesorë për garantimin e sigurisë rrugore, pasi verifikon gjendjen teknike të mjeteve me standardet e kërkuara për qarkullim.

Sipas Drejtorisë së Përgjihshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, automjetet e përdorura për transportin individual dhe familjar mbeten kategoria kryesore që paraqitet për kontroll teknik, ndërsa mjetet e transportit të mallrave dhe kategoritë e tjera përbëjnë një pjesë më të vogël të totalit të testimeve të realizuara gjatë periudhës janar- maj 2026.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat