Shqipëria Postuar më 25 Qershor 2026, 11:06

Ndërtimet në zona të mbrojtura ujore, 300 mijë euro gjobë - Udhëzimi/ Shkeljet në sektorin e peshkimit, masat në raport me dëmin

Nga Elisabeta Dosku

Ndërtimet në zona të mbrojtura ujore, 300 mijë euro

Gjobat në sektorin e peshkimit do të vendosen në raport me dënim e shkaktuar. Sipas udhëzimit të fundit të Ministrisë së Bujqësisë, i botuar në Fletoren Zyrtare, përcaktim i masave do të bëhet mbi disa kritere si natyra dhe rëndësia e shkeljes; shkalla e dëmit ekonomik dhe mjedisor të  shkaktuar; sasia e zënieve ose të produkteve objekt shkeljeje; përsëritjen e shkeljes nga i njëjti subjekt; shkallën e bashkëpunimit të subjektit gjatë kontrollit; faktin nëse shkelja është kryer në zona të mbrojtura ose mbi specie të mbrojtura; përfitimin ekonomik të realizuar ose të synuar nga shkelja; çdo rrethanë tjetër rënduese ose lehtësuese  të konstatuar gjatë procedurës administrative.

Metodologjia e përcaktuar në këtë udhëzim  zbatohet vetëm për ato masa administrative për të cilat ligji parashikon interval vlerash ose lë hapësirë vlerësimi për organin administrativ dhe jo për masat ku ligji përcakton vlera fikse.

Konkretisht për shkeljet që lidhen me hedhjen apo shfrytëzimin e rërës ose zhavorrit, shkarkimin apo zhvendosjen e ujërave ose të materialeve të tjera ndotëse, si dhe ndërhyrjen, prishjen apo shkatërrimin e mjedisit  në zonat e mbrojtura ujore, gjoba varion nga 400 mijë lekë për dëmtim të lehtë  mjedisor dhe pa pasoja të konsiderueshme në habitatin ujor deri në 1.5 milionë lekë nëse ka shkaktuar dëmtim të rëndë ose të pakthyeshëm të habitatit ujor, ndotje masive, shkatërrim të ekosistemit. Dhe në rast përsëritje, 2 milionë lekë.

Ndërsa për shkeljen për ndërtimin e strukturave në kundërshtim me legjislacionin në zonat e mbrojtura ujore gjobat variojnë nga 600 mijë lekë për ndërtimin e strukturave të përkohshme ose  lehtësisht të çmontueshme në tokë ose në ujë; 1.5 milionë lekë për ndërtimin e strukturave fikse që cenojnë habitatin natyror, aksesin ose funksionimin e  zonës së mbrojtur ujore, deri në 3 milionë lekë për ndërtimin e porteve, platformave,  argjinaturave, strukturave industriale ose çdo ndërtim tjetër që shkakton dëmtim të rëndë të ekosistemit ujor ose ndryshim të karakteristikave natyrore të zonës së mbrojtur.

Për peshkimin në kundërshtim me urdhrin për ndalimin e peshkimit, gjobat variojnë nga 200 mijë lekë për sasi minimale 5 kg dhe deri në 1 milionë lekë për sasi peshqish mbi 15 kg.

Për aktivitetin e peshkimit nga anije të huaja shkelja varion nga 3-5 milionë lekë.

Përdorimi i  eksplozivëve dhe substancave të tjera për  peshkim dënohet me gjobë nga 100-500 mijë lekë.  Peshkimi mbi  normat e lejuara dënohet me gjobë nga 50-100 mijë lekë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat