Analiza Postuar më 25 Qershor 2026, 11:47

Mbi 1 milionë të huaj në Shqipëri gjatë majit/ Vizitorët nga jashtë u rritën me 15.9%, kryesojnë ata nga Europa Jugore

Nga Eldiona Serani

Mbi 1 milionë të huaj në Shqipëri gjatë majit/

Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave, gjatë muajit maj në Republikën e Shqipërisë janë regjistruar mbi 1.88 milionë hyrje të shtetasve shqiptarë dhe të huaj, duke shënuar një rritje prej 12.2% krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë.

Paralelisht, edhe daljet nga territori shqiptar kanë shënuar rritje. Gjatë majit rezultojnë rreth 1.8 milionë shtetas që kanë lënë vendin, me një rritje prej 8.9% krahasuar me majin e vitit 2025. Të dhënat tregojnë një intensifikim të lëvizjeve kufitare, si për arsye turistike ashtu edhe për udhëtime personale apo profesionale.

Nga numri total i hyrjeve, rreth 736 mijë kanë qenë shtetas shqiptarë, duke shënuar një rritje prej 6.9% në raport me majin e vitit të kaluar. Ndërkohë, hyrjet e shtetasve të huaj kanë arritur në rreth 1.14 milionë, me një rritje më të fortë prej 15.9%, duke konfirmuar vijimin e interesit të vizitorëve të huaj për Shqipërinë.

Sa i përket origjinës së turistëve të huaj, pjesën më të madhe e përbëjnë vendet e Europës Jugore, të cilat kontribuojnë me rreth 70% të hyrjeve nga Europa, ndërsa Europa Perëndimore përbën rreth 12% të këtij fluksi. Kjo tregon se tregjet europiane vijojnë të jenë burimi kryesor i vizitorëve që zgjedhin Shqipërinë.

Edhe daljet nga vendi kanë pasur rritje. Gjatë muajit maj janë regjistruar rreth 735 mijë dalje të shtetasve shqiptarë, me një rritje prej 3.6%, ndërsa daljet e shtetasve të huaj kanë arritur në rreth 1 milion, duke u rritur me 12.9% krahasuar me një vit më parë.

Nëse shihen të dhënat për pesë muajt e parë të vitit, rezulton se në Shqipëri kanë hyrë rreth 3.7 milionë shtetas të huaj, duke shënuar një rritje prej 8.2%. Në të njëjtën periudhë, hyrjet e shtetasve shqiptarë kanë qenë rreth 3.3 milionë, me një rritje prej 8.7%.

Pjesa më e madhe e vizitorëve të huaj vijojnë ta zgjedhin Shqipërinë për arsye personale. Sipas INSTAT, rreth 98% e hyrjeve të shtetasve të huaj gjatë majit kanë qenë për qëllime personale, ku përfshihen kryesisht pushimet, vizitat dhe udhëtimet individuale. Ky tregues është rritur me 16.4% krahasuar me majin e vitit 2025.

Ndërkohë, hyrjet për qëllime biznesi dhe profesionale kanë shënuar një rënie prej 5.6%, duke treguar se rritja e flukseve gjatë kësaj periudhe lidhet kryesisht me lëvizjet turistike dhe personale.

Në tërësi, statistikat e majit tregojnë një tjetër rritje të prezencës së vizitorëve të huaj në Shqipëri, me sezonin turistik që po nis me një ritëm më të lartë se një vit më parë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat