Shqipëria Postuar më 8 Qershor 2026, 14:54

“Ndryshime të mëdha në kontratat celulare” - Biba: Do të kërkojmë riformulimin e disa pikave. Nuk përjashtohen as gjobat për kompanitë

Nga Ledina Elezi

“Ndryshime të mëdha në kontratat celulare” - Biba: Do

Së shpejti pritet të ketë ndryshime serioze në kontratat e qytetarëve me kompanitë celulare. Kështu është shprehur në Komisionin Parlamentar për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, Kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba, teksa pyetur gjithashtu mbi një marrveshje të mundshme midis kompanive celulare mbi indeksimin e çmimeve sipas presioneve inflacioniste, Biba theksoi se indeksimi është i parashikuar në kontratat paraprake që kanë nënshkruar qytetarët.

“Në dijeninë time, vetëm njëra prej kompanive e ka detyruar këtë gjë, vetëm One, jo Vodafone. Në kontratat përkatëse që qytetarët kanë nënshkruar, ndër ta me siguri edhe ne që jemi këtu klientë të One, në kontratën përkatëse që në kemi firmosur, ju, unë, familjarët tanë që janë klientë të kompanisë One, parashikohet qartësisht, packa se me ato gërmat e vogla, në 3-4 faqe, që asnjë prej nesh nuk i lexon, mirë ose keq, që kompania ka të drejtën të indeksojë çmimet në rastin e rritjes së presioneve inflacioniste në treg”, tha Kryetari i Autoritetit të konkurrencës.

Duke qenë se Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare është autoriteti rregullator i tregut të telefonisë që miraton kontratat dhe Autoriteti i Konkurrencës vetëm kontrollor, pritet të ketë përplasje administrative për sa i përket ndryshimeve që parashikohen të bëhen.

“Me vendimin e ardhshëm që ne do të marrim ka për të pasur ndryshime serioze në kontratat përkatëse që këto kompani do t’ju paraqesin konsumatorëve shqiptarë. Ne do të kërkojmë me pasojë edhe gjobën, hipotetikisht, uroj që jo, që disa nga këto formulat në kontratat aktuale të One apo Vodafone për këtë cështje apo për çështje të tjera, të riformulohen nga kompania. Por kini parasysh që ato kontrata janë të miratuara nga rregullatori sektorial dhe këto ndodhemi edhe në një përplasje të karakterit administrativ”,  tha ai.

Autoriteti i Konkurrencës ka hapur prej kohësh një hetim paraprak në tregun me pakicë të shërbimeve celulare, teksa i ka bërë thirrje edhe qytetarëve që të ndajnë ankesat, problematikat apo shqetësimet e tyre lidhur me këtë treg.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat