Shqipëria Postuar më 19 Qershor 2026, 13:41

Pagesat në euro me AIPS humbasin ritmin - BSH: Numri i transfertave ra me 1.5% në maj, por sistemi vijon zgjerimin e përdorimit

Nga Ledina Elezi

Pagesat në euro me AIPS humbasin ritmin - BSH: Numri i transfertave ra me

Më pak pagesa në euro u realizuan me sistemin AIPS EURO gjatë muajit maj. Të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë tregojnë një rënie me 1.5% të numrit të transkasioneve krahasuar  me prillin.

Konkretisht, në periudhën janar-maj të këtij viti janë realizuar mbi 190 mijë transaksione përmes sistemit AIPS EURO, të cilat kapin një vlerë totale prej rreth 2.9 miliardë euro. Në maj rezultojnë të jenë kryer rreth 42.1 mijë transaksione, me një vlerë prej afro 620.1 milionë euro.

Sistemi AIPS EURO bën të mundur shlyerjen bruto, në kohë reale të transaksioneve të klientëve të bankave për pagesat në euro brenda territorit të Shqipërisë. Sistemi AIPS EURO filloi funksionimin në vitin 2022. Qëllimi kryesor i krijimit të tij ishte kryerja e pagesave në euro brenda vendit me kosto më të ulët dhe në një kohë shumë më të shpejtë. Më parë, procesi realizohej nëpërmjet bankave korrespondente, ndërsa të dhënat tregojnë se sistemi po përdoret gjithnjë e më shumë edhe për pagesa me vlera më të vogla, duke pasqyruar familjarizimin në rritje të individëve dhe bizneseve me këtë instrument pagesash.

Në bazë mujore, edhe vlera e veprimeve të realizuara me AIPS EURO ka vijuar të shënojë nivele të ulëta, krahasuar me muajt paraardhës. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë një zvogëlim të përdorimit të sistemit gjatë muajit të kaluar, si për pagesa me vlera të mëdha, ashtu edhe për transferta më të zakonshme ndërmjet klientëve.

Sipas statistikave, gjatë muajit janar janë realizuar 31.5 mijë transaksione me një vlerë prej 480.9 milionë euro, në shkurt rreth 35 mijë transaksione me vlerë 494.3 milionë euro, ndërsa në mars numri i veprimeve arriti në mbi 39 mijë, me një vlerë prej 593 milionë euro. Tendenca pozitive ka vijuar edhe në prill, duke regjistruar 42.7 mijë transaksione me një vlerë prej 733.5 milionë euro, ndërsa mori tatëpjetën për poshtë në maj.

Sistemi AIPS EURO funksionon në të njëjtën mënyrë për pagesat në euro që kryhen brenda Shqipërisë. Ky sistem përdoret zakonisht për transaksione mes bizneseve që operojnë me kontrata në euro, si pagesa për importe, shërbime apo investime, si edhe për transferta në euro mes bankave për llogari të klientëve të tyre.

Nga ana tjetër, sistemi AIPS, i administruar nga Banka e Shqipërisë, përdoret për kryerjen e pagesave me vlerë të madhe në lekë brenda vendit dhe shfrytëzohet kryesisht nga bankat, bizneset dhe institucionet. Përmes tij realizohen transferta të rëndësishme financiare, si pagesa të mëdha biznesesh ndaj furnitorëve, pagesa të institucioneve shtetërore për kontrata publike apo shlyerje detyrimesh mes bankave.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat