Shqipëria Postuar më 17 Qershor 2026, 10:54

Rikonstruksion rrjeti energjetik në Elbasan e Cërrik - OSSH hap garën, synohet modernizimi i infrastrukturës

Nga Ernilda Luzi

Rikonstruksion rrjeti energjetik në Elbasan e Cërrik -  OSSH hap

Drejtoria Rajonale e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) në Elbasan ka shpallur dy tendera për përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike.

Sipas dokumentit të publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, tenderi i parë ka të bëjë me rikonstruksionin e rrjetit të tensionit të mesëm dhe kabinave elektrike të Fiderit nr.13 Gracen, në nënstacionin Elbasan. Fondi limit i këtij investimi është 49 milionë e 995 mijë lekë.

Projekti synon modernizimin e infrastrukturës energjetike përmes zëvendësimit dhe përmirësimit të kabllove nëntokësore, kabinave elektrike dhe pajisjeve të tjera të rrjetit. Sipas dokumentacionit teknik, materialet që do të përdoren duhet të jenë të standardeve bashkëkohore dhe të garantojnë funksionim të sigurt në kushte të ndryshme atmosferike dhe ngarkesash në rrjet.

Ndërkohë, OSSH Elbasan ka hapur edhe një tjetër procedurë tenderimi për rikonstruksionin e rrjetit të tensionit të ulët dhe të kabinave elektrike në rrethinat e Cërrikut, pjesë e Fiderit nr.1 të nënstacionit Radio. Fondi limit për këtë projekt është 99 milionë e 934 mijë lekë.

Referuar dokumentit, parashikohet ndërtimi dhe përmirësimi i linjave të tensionit të ulët, të cilat përdoren për furnizimin me energji elektrike të banesave dhe bizneseve. Kabllot e reja janë projektuar për të garantuar siguri më të lartë, qëndrueshmëri ndaj kushteve atmosferike dhe furnizim të pandërprerë me energji elektrike.

Përmes këtyre investimeve, synohet rritja e cilësisë së shërbimit, ulja e humbjeve teknike në rrjet dhe përmirësimi i furnizimit me energji elektrike për banorët dhe bizneset në zonat përfituese të Elbasanit dhe Cërrikut.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat