Shqipëria Postuar më 17 Qershor 2026, 13:10

Në Shqipëri do të funksionojë “Këshilli Fiskal”

Nga SCAN TV

Në Shqipëri do të funksionojë “Këshilli

Në vendin tonë pritet të ngrihet dhe të funksionojë “Këshilli Fiskal” me synimin e forcimit të mëtejshëm të kuadrit institucional që mbështet hartimin, monitorimin dhe vlerësimin e politikës fiskale në vend.

Gjithshka përcaktohet në projektligjin “Për Këshillin Fiskal të Republikës së Shqipërisë”, të nxjerrë për konsultim publik nga Ministria e Financave. Sipas relacionit, në mungesë të një institucioni të pavarur të dedikuar për vlerësimin e zhvillimeve fiskale dhe makroekonomike, kufizohet ndarja funksionale ndërmjet rolit të hartimit dhe atij të vlerësimit të politikave, si dhe ndikohet në perceptimin mbi transparencën dhe besueshmërinë e tyre.

Në këtë kuadër, projektligji synon të adresojë këto mangësi përmes krijimit të një institucioni të pavarur, me mandat të përcaktuar ligjor, i cili do të ushtrojë funksione të monitorimit të zbatimit të rregullave fiskale, të vlerësimit të politikës fiskale dhe të analizës së parashikimeve makroekonomike dhe buxhetore. Kjo qasje është në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe me kuadrin e përforcuar të qeverisjes ekonomike në Bashkimin Evropian, duke kontribuar njëkohësisht në përmbushjen e angazhimeve në procesin e integrimit evropian.

Ministria e Financave argumenton se, “krijimi i Këshillit Fiskal pritet të sjellë përparësi të rëndësishme në drejtim të forcimit të disiplinës fiskale, rritjes së transparencës në menaxhimin e financave publike dhe përmirësimit të cilësisë dhe besueshmërisë së analizave dhe parashikimeve fiskale. Njëkohësisht, ai forcon rolin mbikëqyrës të Kuvendit, duke i ofruar këtij një bazë të pavarur profesionale për shqyrtimin e dokumenteve kryesore të politikës fiskale”.

Gjithashtu, zbatimi i projektligjit parashikohet të kontribuojë në përmirësimin e transparencës dhe cilësisë së analizave fiskale, në forcimin e respektimit të rregullave fiskale dhe të qëndrueshmërisë së financave publike, si dhe në rritjen e besueshmërisë së politikës fiskale në planin e brendshëm dhe në atë ndërkombëtar.

“Në të njëjtën kohë, projektligji plotëson kuadrin ekzistues të menaxhimit të financave publike dhe kontribuon në identifikimin e hershëm të rreziqeve fiskale dhe në përmirësimin e cilësisë së vendimmarrjes përmes analizave të pavarura. Krijimi i këtij institucioni forcon mekanizmat e kontrollit dhe balancës ndërinstitucionale, duke garantuar ushtrimin e funksioneve mbi bazën e parimeve të pavarësisë, profesionalizmit dhe objektivitetit”, theksohet në relacionin e projektligjit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat