Shqipëria Postuar më 17 Qershor 2026, 14:10

PE miraton rezolutën për Shqipërinë - Mbështetje për rrugën drejt BE-së

Nga Edel Strazimiri

PE miraton rezolutën për Shqipërinë - Mbështetje

Parlamenti Europian miratoi sot Rezolutën vjetore për Shqipërinë, me 483 vota pro, duke rikonfirmuar mbështetjen për procesin e integrimit europian të vendit dhe progresin e arritur në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Pas votimit, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, e cilësoi vendimin si një vlerësim të rëndësishëm për reformat dhe ecurinë e Shqipërisë në procesin e integrimit.

“Ky vendim i përfaqësuesve të drejtpërdrejtë të qytetarëve europianë është një vlerësim i madh i progresit solid të Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian”, u shpreh Balla në një reagim në rrjetet sociale.

Ai falënderoi eurodeputetët që mbështetën rezolutën, duke shprehur mirënjohje të veçantë për raporterin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder, si dhe për Grupin e Socialistëve dhe Demokratëve dhe eurodeputetin Andrey Kovatchev për mbështetjen e vazhdueshme ndaj perspektivës europiane të vendit.

Sipas Ballës, miratimi i rezolutës përbën një sinjal të fortë politik në mbështetje të së ardhmes europiane të Shqipërisë dhe objektivit për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.

Rezoluta vjetore e Parlamentit Europian vlerëson progresin e vendeve kandidate në procesin e integrimit dhe shërben si një instrument i rëndësishëm politik për orientimin e reformave dhe avancimin e negociatave të anëtarësimit.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat