Shqipëria Postuar më 10 Qershor 2026, 11:14

Rregulla të reja për aktivitetet në monumentet e kulturës - Koncertet dhe festivalet, me procedurë të re miratimi

Nga Ernilda Luzi

Rregulla të reja për aktivitetet në monumentet e kulturës -

Aktivitetet kulturore, artistike dhe shkencore që zhvillohen në monumente kulture, qendra historike, parqe arkeologjike dhe zona të tjera të mbrojtura do t’i nënshtrohen tashmë një procedure të re miratimi.

Ka hyrë në fuqi udhëzimi i Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, nr.3, datë 21.5.2026, ku përcaktohen kushtet, kriteret dhe procedurat për dhënien e miratimit të interesit kulturor apo shkencor për veprimtari që zhvillohen në këto hapësira.

Sipas udhëzimit, në pasuritë kulturore do të mund të organizohen koncerte, festivale, ekspozita arti, shfaqje teatrore, konferenca shkencore, aktivitete edukative, xhirime filmike, si dhe nisma të tjera me karakter kulturor dhe promovues.

Për të marrë miratimin, organizatorët duhet të provojnë se aktiviteti kontribuon në promovimin e trashëgimisë kulturore dhe nuk cenon integritetin fizik, historik apo arkeologjik të pasurisë ku zhvillohet. Gjithashtu kërkohet paraqitja e një plani të detajuar mbrojtjeje dhe një vlerësimi të riskut për sigurinë e monumenteve dhe pjesëmarrësve. Pajisjet teknike, ndriçimi, sistemet e zërit dhe strukturat e përkohshme duhet të projektohen dhe përdoren në mënyrë të tillë që të mos krijojnë ndikime negative mbi monumentet dhe mjedisin përreth.

Subjektet e interesuara duhet të aplikojnë përmes platformës elektronike e-Albania, të paktën 15 ditë pune përpara zhvillimit të aktivitetit. Ministria do të shqyrtojë dokumentacionin dhe, nëse është e nevojshme do të kryejë edhe inspektime në terren përpara dhënies së miratimit.

Gjatë procesit të miratimit, organizatorët do të vlerësohen edhe mbi bazën e rëndësisë së aktivitetit për publikun, ndikimit që ai ka në promovimin e trashëgimisë kulturore, nivelit artistik dhe profesional, si dhe kapaciteteve organizative. Institucionet do të marrin në konsideratë përvojën e organizatorit, si dhe mënyrën e menaxhimit të fluksit të pjesëmarrësve, për të garantuar sigurinë e pasurisë kulturore dhe të publikut.

Udhëzimi parashikon gjithashtu detyrime të qarta për organizatorët, përfshirë ruajtjen e pasurisë kulturore, raportimin e incidenteve dhe rikthimin e gjendjes së mëparshme pas përfundimit të aktivitetit. Në rast shkeljesh ose dëmtimi të pasurisë kulturore, ministri mund të revokojë menjëherë miratimin dhe përgjegjësia për dëmin i ngarkohet organizatorit.

Qëllimi i këtyre rregullave është mundësimi i zhvillimit të aktiviteteve kulturore duke garantuar njëkohësisht mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore të vendit. Monumentet dhe hapësirat historike të vazhdojnë të jenë të aksesueshme për publikun dhe ngjarjet kulturore, pa cenuar vlerat që ato mbartin për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat