Shqipëria Postuar më 13 Korrik 2026, 13:49

Sejko: Ekonomia shqiptare pritet të ruajë ritme solide rritjeje

Nga SCAN TV

Sejko: Ekonomia shqiptare pritet të ruajë ritme solide rritjeje
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, priti sot në një takim zyrtar Përfaqësuesin e ri Rezident të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Shqipëri, Hannes Takacs, me të cilin diskutoi mbi zhvillimet ekonomike dhe bashkëpunimin mes dy institucioneve.

Gjatë takimit, Sejko prezantoi ecurinë e ekonomisë shqiptare, duke theksuar se "sipas parashikimeve të Bankës së Shqipërisë, ekonomia shqiptare pritet të vijojë të rritet me ritme solide edhe gjatë periudhës në vijim".

Guvernatori nënvizoi se "politika monetare e kujdesshme dhe konsistente e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, duke krijuar kushte financiare të favorshme për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë".

Duke folur për sektorin bankar, ai tha se sistemi mbetet i qëndrueshëm, me tregues të mirë kapitalizimi, likuiditeti dhe përfitueshmërie, ndërsa raporti i kredive me probleme ka zbritur në 3.7%, niveli më i ulët historik që nga viti 2008.

Sipas Sejkos, "ky rezultat pasqyron efektet e reformave strukturore të ndërmarra gjatë dekadës së fundit, përmirësimin e disiplinës financiare të industrisë bankare, si dhe efektivitetin e kuadrit rregullator dhe mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë".

Guvernatori vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin me BERZH-in në projekte strategjike, duke veçuar asistencën për administrimin e rreziqeve që lidhen me ndryshimet klimatike, zhvillimin e tregut të parasë sipas standardeve ndërkombëtare, përafrimin e kuadrit rregullator me standardet e Bashkimit Evropian dhe zbatimin e iniciativës WE Finance Code, e cila synon të lehtësojë aksesin në financim për gratë sipërmarrëse dhe ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme.

Nga ana e tij, Përfaqësuesi i ri Rezident i BERZH-it, Hannes Takacs, riafirmoi angazhimin e institucionit për të vijuar mbështetjen ndaj Shqipërisë, me fokus në forcimin e konkurrueshmërisë së bizneseve, tranzicionin drejt ekonomisë së gjelbër, digjitalizimin dhe zhvillimin e sipërmarrjes.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat