Shqipëria Postuar më 5 Qershor 2026, 10:33

Shqipëria mirëpriti mbi 1.1 milionë vizitorë gjatë majit - Ministri Gonxhja: Lituania dhe Danimarka kryesojnë rritjen e turistëve

Nga Ernilda Luzi

Shqipëria mirëpriti mbi 1.1 milionë vizitorë gjatë

Shqipëria vijon të forcojë pozitat e saj si një nga destinacionet turistike me rritjen më të shpejtë në rajon. Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se gjatë muajit maj 2026 vendi ynë mirëpriti 1 milion e 143 mijë e 595 vizitorë të huaj, një rritje prej 16% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas ministrit Gonxhja, kjo ecuri pozitive lidhet me rritjen e investimeve publike dhe private në infrastrukturën turistike, zgjerimin e kapaciteteve akomoduese, promovimin e vazhdueshëm të destinacioneve shqiptare dhe kalendarin e pasur të aktiviteteve gjatë gjithë vitit. Gjithashtu, forcimi i imazhit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare ka ndikuar në shtimin e interesit të turistëve të huaj.

Ndërkohë, rritje të ndjeshme janë regjistruar me vizitorët nga tregje të rëndësishme evropiane dhe ndërkontinentale, ndërsa Kosova me 321.714 vizitorë dhe Italia me 120.344 vizitorë, vijojnë të japin kontributin më të madh në numrin e përgjithshëm të vizitorëve. Gjithashtu, interesi në rritje nga SHBA-ja, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar dhe vende të tjera me potencial të lartë konfirmon atraktivitetin e Shqipërisë për turistët që kërkojnë përvoja autentike, kulturë, natyrë dhe mikpritje, thekson ministri Blendi Gonxhja.

Nga ana tjetër, rritjen më të lartë të vizitorëve gjatë muajit maj e ka shënuar Lituania me 273%, e ndjekur nga Danimarka me 253%, ndërsa rritje të konsiderueshme janë regjistruar edhe nga Finlanda me 83%, Polonia me 80%, Irlanda me 63% dhe Izraeli me 48%.

Po kështu, numri i vizitorëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadaja është rritur me nga 37% secili, ndërsa nga Mbretëria e Bashkuar me 32%. Gjithashtu, rritje janë regjistruar edhe nga Suedia me 26%, Republika Çeke me 25%, Belgjika dhe Italia me nga 24%, Franca me 21%, Portugalia me 19% dhe Kosova me 15%.

Me mbi 1.1 milion vizitorë të huaj vetëm gjatë muajit maj, Shqipëria konfirmon trendin pozitiv të rritjes së turizmit dhe vijon të mirëpresë turistë nga e gjithë bota.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat