FunData Postuar më 4 Qershor 2026, 15:08

Një biznes për çdo 17 banorë në Shqipëri/ Tirana, Vlora dhe Durrësi, në krye të sipërmarrjes shqiptare

Nga Xhorxhina Deda

Një biznes për çdo 17 banorë në Shqipëri/

Shqipëria mbylli vitin 2025 me 137,892 ndërmarrje ekonomike aktive, që do të thotë se në vend operon mesatarisht një biznes për çdo 17 banorë. Të dhënat e INSTAT tregojnë se sipërmarrja mbetet e përqendruar kryesisht në qendrat më të mëdha ekonomike dhe turistike të vendit, me Tiranën, Vlorën dhe Durrësin që kryesojnë renditjen për numrin e bizneseve në raport me popullsinë.

Qarku i Tiranës vijon të mbetet motori i ekonomisë shqiptare. Me 66,437 ndërmarrje aktive dhe 765,459 banorë, kryeqyteti regjistron dendësinë më të lartë të bizneseve në vend, me një ndërmarrje për çdo 11.5 banorë. Kjo do të thotë se pothuajse gjysma e bizneseve aktive në Shqipëri janë të përqendruara në qarkun e Tiranës.

Pas Tiranës renditet Vlora, e cila konfirmon rolin gjithnjë e më të rëndësishëm në ekonominë shqiptare. Me 11,256 ndërmarrje aktive qarku numëron një biznes për çdo 12.6 banorë. Pozicioni i Vlorës lidhet ngushtë me zhvillimin e turizmit, shërbimeve dhe tregtisë, sektorë që kanë njohur zgjerim të vazhdueshëm vitet e fundit.

Në vendin e tretë renditet Durrësi, me një biznes për çdo 15.3 banorë. Qarku numëron 14,341 ndërmarrje aktive dhe përfiton nga pozita strategjike si qendra më e madhe portuale e vendit dhe një nga nyjet kryesore të tregtisë dhe logjistikës.

Në anën tjetër të renditjes qëndrojnë qarqet me dendësinë më të ulët të sipërmarrjes. Dibra rezulton me vetëm një biznes për çdo 45.5 banorë, duke regjistruar nivelin më të ulët në vend. Pas saj vijnë Kukësi me një biznes për çdo 40 banorë dhe Berati me një biznes për çdo 33 banorë.

Për krahasim rajonal, Shqipëria rezulton ndër vendet me përqendrimin më të lartë të bizneseve në raport me popullsinë. Me një ndërmarrje aktive për çdo 17 banorë, vendi renditet pas Malit të Zi, ku ka afërsisht një biznes për çdo 10 banorë. Ndërkohë, në Maqedoninë e Veriut raporti është një biznes për 27 banorë, në Kosovë një për 30 banorë, në Serbi një për 31 banorë dhe në Bosnjë Hercegovinë një për 37 banorë, sipas të dhënave më të fundit të disponueshme për vendet e rajonit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat