Shqipëria Postuar më 4 Qershor 2026, 13:01

Shqipëria, në projektin e BE për pronësinë intelektuale - Laknori: Pa mbrojtje të markave, bizneset humbasin konkurrueshmërinë

Nga Diamila Leka

Shqipëria, në projektin e BE për pronësinë intelektuale

Shqipëria bëhet pjesë e projektit të ri “EU4IP” të Bashkimit Evropian për pronësinë intelektuale, një nismë që synon forcimin e mbrojtjes së markave, patentave, dizajneve industriale dhe të drejtave të autorit në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Nisma pritet të mbështesë institucionet shqiptare me asistencë teknike, shkëmbim ekspertize dhe përafrim të mëtejshëm të legjislacionit me standardet europiane. Për eksperten , ky projekt lidhet drejtpërdrejt edhe me procesin e integrimit europian dhe harmonizimin e Shqipërisë me kapitujt e negociatave.

“EU4IP”, është një nga projektet e fundit, i lançuar nga Komisioni Europian  madje dhe nga CEFTA, dhe përgëzojmë DPPI dhe Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit si nismëtare të kësaj fushe kaq të madhe dhe me kaq vlerë. Shkon në harmoni dhe me kapitullin 7 të integrimit dhe të harmonizimit të në vazhdën e 33 kapitujve. Gjithashtu shkon mbarë dhe me rritjen dhe me bashkëpunimin rajonal, sepse vetë CEFTA promovon bashkëpunimin rajonal për vendet që janë para aderimit në BE,” tha Albana Laknori, Eksperte e Pronësisë Industriale dhe Intelektuale.

Sipas ekspetes Laknori, afrimi me tregun europian do ta bëjë këtë proces edhe më të domosdoshëm, pasi kompanitë shqiptare do të përballen me rregulla më të forta konkurrence dhe me standarde më të larta mbrojtjeje.

“Gjithashtu e vlerësoj edhe për vetë bizneset. Ne po i afrohemi BE-së, në mënyrë të pakthyeshme bizneset duhet të mësojnë që prona intelektuale mbrohet, prona intelektuale nuk vidhet. Në të gjitha marrëdhëniet që do kenë në të ardhmen me kompanitë rajonale dhe europiane do shfaqen problematika në mungesën e konkurrueshmërisë nëse ato nuk e kanë të mbrojtur. Kështu që edhe ne këtë projekt e shohim si një promovim të pronësisë intelektuale, një edukim të biznesit për të mbrojtur çdo gjë që ata prodhojnë,” shtoi ajo.

Për Shqipërinë, ndikimi pritet të jetë i drejtpërdrejtë në përmirësimin e klimës së biznesit, mbrojtjen e investitorëve dhe nxitjen e sipërmarrjeve që bazohen te inovacioni, kreativiteti dhe konkurrueshmëria.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat