Shqipëria Postuar më 17 Korrik 2026, 12:39

Shqipëria përgatitet për lekun digjital - Monedha e re do të ketë të njëjtën vlerë si leku i zakonshëm, por do të ekzistojë elektronikisht

Nga Ledina Elezi

Shqipëria përgatitet për lekun digjital - Monedha e re do të

Leku digjital mund të jetë një nga risitë më të mëdha që sjell projektligji i ri për Bankën e Shqipërisë. Për herë të parë, ligji parashikon që, krahas kartëmonedhave dhe monedhave metalike, Banka e Shqipërisë do të ketë të drejtën ekskluzive të emetojë edhe monedhën digjitale "Lek". Kjo do të thotë se, në të ardhmen, paraja shqiptare mund të ekzistojë jo vetëm në formë fizike, por edhe në një version plotësisht digjital, të garantuar nga banka qendrore.

Por çfarë do të thotë kjo për qytetarët?  

Në radhë të parë, është e rëndësishme të kuptohet se leku digjital nuk është një kriptomonedhë si Bitcoin apo Ethereum. Ai nuk do të ketë luhatje të vlerës në treg dhe nuk do të funksionojë si një investim. Përkundrazi, ai do të ketë të njëjtën vlerë si leku që përdorim çdo ditë. Një lek digjital do të vlejë po aq sa një kartëmonedhë prej një leku.

Ndryshimi qëndron vetëm te forma. Në vend që qytetarët të mbajnë para në portofol, ata mund t'i kenë ato në një portofol elektronik ose në një platformë të posaçme digjitale, të zhvilluar sipas rregullave që do të përcaktojë Banka e Shqipërisë. Pagesat mund të kryhen në mënyrë elektronike, shpejt dhe pa pasur nevojë të përdoren para fizike.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se kartëmonedhat dhe monedhat metalike do të zhduken. Të paktën në fazat e para, leku digjital pritet të bashkëjetojë me paranë fizike, duke u ofruar qytetarëve një alternativë shtesë për kryerjen e pagesave.

Projektligji krijon bazën ligjore që Banka e Shqipërisë të mund ta emetojë lekun digjital në të ardhmen, por nuk përcakton një datë konkrete për hedhjen e tij në qarkullim. Kjo do të varet nga vendimet që do të merren më vonë, zhvillimi i teknologjisë, standardet e sigurisë dhe gatishmëria e sistemit financiar për ta mbështetur këtë formë të re të parasë.

Në fakt, Shqipëria nuk është e vetmja që po ndjek këtë rrugë. Dhjetëra banka qendrore në botë po studiojnë ose po testojnë monedhat e tyre digjitale, me synimin për t'i bërë pagesat më të shpejta, më të sigurta dhe më efikase, ndërsa përshtaten me zhvillimet teknologjike dhe përdorimin gjithnjë e më të madh të pagesave elektronike.

Një model që konsiderohet i mundshëm është që ti hyn në aplikacionin e bankës, kërkon për shembull të konvertosh 10 000 lekë nga llogaria jote në 10 000 lekë digjitalë, banka i kërkon Bankës së Shqipërisë t'i emetojë këto lekë digjitalë dhe ti i merr në një portofol digjital.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat