Analiza Postuar më 13 Korrik 2026, 10:49

Profesionistët fitojnë terren në tregun e punës/ Rritet përfaqësimi i menaxherëve, bie pesha e punonjësve të bujqësisë

Nga Eldiona Serani

Profesionistët fitojnë terren në tregun e punës/ Rritet

Tregu i punës në Shqipëri pësoi ndryshime gjatë vitit 2025, duke treguar një zhvendosje graduale të punësimit drejt profesioneve me kualifikim më të lartë. Sipas të dhënave, pesha e menaxherëve, profesionistëve dhe teknikëve arriti në 22.5% të totalit të të punësuarve, nga 20.5% që ishte një vit më parë.

Edhe grupi i nëpunësve, punonjësve të shitjeve dhe shërbimeve shënoi një rritje të lehtë, duke kaluar nga 18.1% në 18.5% të punësimit total. Në të kundërt, punonjësit e kualifikuar të bujqësisë dhe profesioneve të lidhura me tregtinë vijojnë të përbëjnë grupin më të madh në tregun e punës, por pesha e tyre ra nga 47.5% në 45.3%.

Rënie u vu re edhe te punonjësit e montimit të pajisjeve dhe makinerive, të cilët zbritën nga 8% në 7%, ndërsa profesionet elementare u rritën lehtë, nga 5.4% në 6.2%. Pesha e forcave të armatosura mbeti shumë e ulët, por shënoi një rritje të lehtë nga 0.4% në 0.6%.

Të dhënat sipas gjinisë tregojnë se burrat vazhdojnë të dominojnë në profesionet e lidhura me bujqësinë dhe tregtinë, megjithëse pesha e tyre në këtë kategori ra nga 50.5% në 47.2%. Ndërkohë, pjesa e meshkujve në profesionet menaxheriale dhe teknike u rrit nga 18.3% në 19.5%.

Për gratë, rritja ishte edhe më e theksuar në profesionet menaxheriale, profesionale dhe teknike, ku pesha u rrit nga 23.2% në 26.1%. Gratë vijojnë gjithashtu të kenë një përfaqësim të lartë në administratë, shitje dhe shërbime, ndërsa pesha e tyre në bujqësi ra nga 44% në 42.9%.

Në tërësi, struktura e punësimit në vitin 2025 tregon një zhvendosje të ngadaltë të fuqisë punëtore drejt profesioneve me aftësi dhe kualifikim më të lartë, ndërsa pesha e punësimit në sektorët tradicionalë, veçanërisht në bujqësi, vijoi të tkurret.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat