Analiza Postuar më 18 Qershor 2026, 11:12

Real Estate dhe turizmi mbajnë në “këmbë” shërbimet/ Hotelet rrisin shitjet me 12.6%, pagat e pasurive të paluajtshme zgjerohen me 35%

Nga Xhorxhina Deda

Real Estate dhe turizmi mbajnë në “këmbë”

Sektori i shërbimeve e ka nisur vitin 2026 me një ecuri pozitive, i mbështetur kryesisht nga aktiviteti i pasurive të paluajtshme dhe turizmi. Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se në tremujorin e parë të vitit janë zgjeruar shitjet neto në pjesën më të madhe të aktiviteteve ekonomike, ndërsa punësimi dhe pagat kanë vijuar të rriten në shumicën e sektorëve.

Aktiviteti i pasurive të paluajtshme rezulton sërish motori kryesor i rritjes, me një zgjerim prej 31.5% të shitjeve neto në volum krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Performancë të fortë shënuan edhe hotelet, me një rritje prej 12.6%, si dhe bar-restorantet, ku shitjet u rritën me 8.4%. Në rritje ishin gjithashtu aktivitetet e arkitekturës dhe inxhinierisë me 8.0%, tregtia me 4.6% dhe aktivitetet e sigurimit me 4.9%. Në kahun tjetër, transporti, magazinimi dhe posta shënuan rënie me 3.8%, ndërsa informacioni dhe komunikacioni u tkurr me 1.6%.

Edhe tregu i punës paraqet një panoramë pozitive. Punësimi u rrit me 22.5% në aktivitetet e pasurive të paluajtshme, me 9.4% në hotele, me 3.7% në agjencitë e udhëtimit dhe me 3.6% në tregti. Megjithatë, disa aktivitete vijojnë të shfaqin dobësi, pasi punësimi ra me 10.5% në administrimin e zyrave dhe mbështetjen administrative, si dhe me 3.2% në aktivitetet e sigurimit dhe hetimit.

Rritja e pagave ka qenë edhe më e fortë. Fondi i pagave u zgjerua me 35% në aktivitetet e pasurive të paluajtshme, me 22% në hotele dhe me 20.5% në agjencitë e udhëtimit, ndërsa rritje dyshifrore u regjistruan edhe në tregti, bar-restorante, informacion dhe komunikacion, aktivitetet inxhinierike dhe sigurimin. I vetmi sektor që shënoi rënie të pagave ishte administrimi i zyrave dhe mbështetja administrative, me 6.5%.

Të dhënat e tremujorit të parë tregojnë se shërbimet vazhdojnë të mbështeten nga dinamika e turizmit dhe zgjerimi i aktivitetit në tregun e pasurive të paluajtshme, ndërsa disa sektorë tradicionalë, si transporti dhe informacioni e komunikacioni, po përballen me një ngadalësim të aktivitetit ekonomik.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat